Tiranë, 13 Korrik, NOA – Ekspertët e Bashkimit Evropian vizitojnë sot Tiranën për të parë nga afër sesa janë përmbushur nga pala shqiptaret, kriteret për heqjen e vizave.
Ky delegacion i tyre mbërrin vetëm disa ditë pasi Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën mbi Shqipërinë, e cila parashikon zgjidhjen sa më parë të krizës politike në vend, pa harruar njëkohësisht të përshëndesë arritjet e deritanishme të palës shqiptare mbi plotësimin e kritereve për heqjen e vizave.
E pikërisht, për këtë, ekspertët e BE do të shohin sot në terren nga afër, se sa i ka përmbushur Shqipëria tre kriteret e vendosura nga Brukseli, për të nisur zyrtarisht procedurat për liberalizimin e regjimit të vizave Shengen.
Konkretisht, bëhet me dije se bazuar në rekomandimet e BE-së, ekspertët do vlerësojnë nëse janë rritur kapacitetet për zbatimin e ligjit, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për sekuestrimin e pasurive kriminale.
E pas këtij verifikimi në terren, informacioni i dhënë prej tyre do t'u kalojë zyrtarëve të Bashkimit Evropian të cilët do të përpilojnë në shtator një raport nëse Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovinë plotësojnë kushtet për të fituar liberalizimin e vizave.
n.e/NOA