Prishtinë, 13 korrik, NOA – Prokuroria speciale e Kosovës, ka vënë në pranga sot ish-sekretarin Permanent të ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, tashmë këshilltar në ministrinë e Shëndetësisë.
Ka qenë vetë ministria e Shëndetësisë së Kosovës, që ka pohuar arrestimin e zyrtarit Tolaj, i cili dyshohet për korrupsion, dhe do të hetohet për veprën penale të shmangies nga tatimi.
Vetë ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Bujar Bukoshi është njoftuar këtë mëngjes nga zyrtarë të Prokurorisë Speciale për arrestimin e këshilltarit Ilir Tolaj.
Ministria e Shëndetësisë ka garantuar përmes një njoftimi për shtyp, se do të bashkëpunojë me EULEX-in dhe Prokurorinë Speciale për të gjitha materialet e nevojshme në shërbim të hetimit të çështjes.
Këshilltari i ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Ilir Tolaj është arrestuar nga misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX dhe oficerët e Task Forcës Anti-Korrupsion të Kosovës.
Lidhur me çështjen në fjalë, EULEX ka kryer bastisje në tri banesa të ndryshme në Prishtinë, duke përfshirë edhe një zyrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Hetimet e EULEX kundër korrupsionit në institucionet qendrore të Kosovës vijojnë nën mbikëqyrjen e plotë të Prokurorisë Speciale.
mit/NOA