Fier: Zrpp, Prioritet, Përshpejtimi I Procesit Të Azhornimit Të Pronave
FIER, 13 Korrik /ATSH -Rr.Isufaj / - Përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përfundimi i procesit të azhornimit të pronave, është vlerësuar si prioriteti bazë i punës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, në Fier. Sipas drejtorit të kësaj zyre,Tomor Hallkushi, nga 118 zona kadastrale që ka rrethi i Fierit, 109 kanë përfunduar procesin dhe janë futur në sistem, ndërkohë që 4 zona kadastrale janë në proces dhe në 5 të tjera pritet të fillojë puna së shpejti.
"Momentalisht kemi përfunduar azhornimin e 2 zonave kadastrale në qytet dhe brënda këtij muaji përfundojmë edhe zonën e tretë dhe po vazhdon puna për futjen në sistem të zonës së katërt dhe të fundit të qytetit", tha Hallkushi.
Ai bën të ditur se ndërkohë po vazhdon puna në 2 zona kadastrale të Patosit, ku përfshihen pronat e bashkisë dhe ato të zonave rurale.
Sipas Hallkushit, ka përfunduar procesi në bashkinë e Rroskovecit, e cila për vet drejtimin e saj bujqësor, ishte më e vështira.
Në lidhje me cilësinë e shërbimit, Hallkushi thotë se "shumë shërbime, si hipoteka ligjore, kreditë bankare, freskimet në afatin zyrtar bëhen brënda 24 orëve, nga 5-12 ditë që e kanë afatin ligjor".
Ai sqaron se thashmë "zyra funksionon edhe me një shërbim elektronik, çka do të thotë që qytetari aplikon dhe çertifikata e pronësisë i shkon pranë banesës së tij, nëpërmjet postës shqiptare"./s.s./