Francë - Parlamenti Miraton Ligjin Për Ndalimin E Mbajtjes Së Burkës Në Vendet Publike
PARIS, 13 korrik /ATSH-AFP/ - Asambleja kombëtare franceze mirati sot, në seancën e parë, me shumicë votash projektligjin që parashikon ndalimin e mbajtjes së burkës në vendet publike pavarësisht rezervave juridike dhe pakënaqësive që ka ngjallur ky projektligj tek myslimanët.
Projektligji u miratua me 335 vota dhe një kundër. Edhe pse ka kundërshtuar mbajtjen e niqabit dhe burkës, pothuajse e gjithë opozita refuzoi të marrë pjesë në votim.
Ministrja franceze e Drejtësisë, Mishel Aliot Mari e cilësoi të suksesshëm votimin e sotëm.
''Ky është sukses për Republikën dhe vlerat e saj, vlerat e lirisë, të cilat duhen mbrojtur nga cilido që synon t'i fyejë individët dhe vlerat e barazisë mes burrave dhe grave'', theksoi Mari.
Në Francë jetojnë rreth pesë milionë myslimanë. Sipas statistikave zyrtare, rreth 2 000
myslimane përdorin burkën apo veshje të tjera të ngjashme./
/ec/ a.jor.