English

Gjinar: Ministria E Mbrojtes, E Pregatitur Në Raste Emergjencash Civile

GJINAR, 13 Korrik /ATSH, Miranda Sadiku/ - Evitimi dhe shuarja në kohë e zjarreve në pyje dhe kullota në stinën e verës ishte në fokusin e stërvitjes "Gjinar 2010",organizuar sot në komunën Gjinar rreth 24 kilometra larg qytetit të Elbasanit nga Brigada e Mbështetjes Rajonale në bashkëpunim me Batalionin e Kërkim-Shpëtimit si dhe Batalioni i Xhenios në Tiranë. Stërvitja demostrative për ndihmën që duhet të japin në raste zjarresh u bë në pikën turistike në Gjinar, e rrethuar nga masive pyjore, që shpesh herë në stinën e verës përfshihen nga flakët, ku morrën pjesë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zv/ministri Ekrem Spahia, këshillltari i Ministrisë së Brendshme, Princ Leka, etj. Improvizimi në vendin e quajtur " Fusha e Kuqe" në Gjinar, organizua nga Brigada e Mbështetjes Rajonale në bashkëpunim me repartin e zjarrfikëses dhe komunitetin, ofruan kohë rekord për shuarjen e zjarreve, ç'ka u vlerësua nga ministri Imami. Sipas tij, stërvitja e kryer në Gjinar relizohet pas shumë vitesh së bashku me Ministrinë e Brendshme si dhe strukturat e pushtetit lokal, bëhet në një kontekst të ri legjislativ. "Angazhimi i përbashkët tregon shqetësimin dhe përgjegjësinë që kanë strukturat vendore, ministrisë së Brendshme dhe forcat e armatosura në raste të emergjencave civile. Planifikimi dhe realizimi i stërvitjeve të tilla janë me interes dhe i shërbejnë zgjidhjeve të disa detyrave madhore që mund të na diktohen në një shekull me shumë të panjohura që kemi përpara kundrejt emergjencave dhe fatkeqësive të ndryshme natyrore", tha ministri Imami. Ai vlerësoi strukturat e Brigadës së Mbështetjes Rajonale gjatë këtij viti janë angazhuar në disa operacione në ndihmë të komunitetit civil, duke evidentuar angazhimin e tyre gjatë përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë. Imami shprehu bindjen se "Brigada Rajonale e Mbështetjes Rajonale për t'ju përgjigjur emergjencave të mundshme është një nga prioritetet e rëndësishme të ministrisë së Mbrojtjes, për të cilën do duhet të themelojmë një doktrinë të qëndrueshme dhe moderne, për këtë do të na duhen stërvitje, trajnime, kualifikime". Ai kërkoi që puna të përqëndrohet tek disa drejtime, ndër të cilat, konceptimi dhe hartimi i skenareve të detajuar të operacioneve, rishikimin e masave për bashkëpunimin dhe kordinimin e strukturave vendore e qëndrore në qarqe e komuna, identifikimin e kapaciteteve operacionale të strukturave ushtarake për çdo lloj operacioni, etj./n.m/
KOMENTE