Durrës, 13 korrik, NOA – Ndërsa jemi në pikun e sezonit turistik, të gjitha prodhimet ushqimore që shiten në njësitë tregtare, tregjet shumicë, lokale, pastiçeri, furra buke, do të jenë objekt i kontrollit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), për të garantuar cilësinë e produkteve, që u tregtohen pushuesve, turistëve dhe qytetarëve në zonat e bregdetit.
Duke qenë se siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet e punës së ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, AKU, duke iu referuar fluksit të madh të prodhimit, tregtimit dhe konsumimit, ka nisur prej ditësh kontrollet për parandalimin e rreziqeve cënojnë cilësinë dhe sigurinë ushqimore gjatë temperaturave të larta, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.
Janë 5 struktura të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që kanë nisur kontrollet këtë mëngjes në qytetin e Durrësit, të cilat sipas specialistëve do të përqendrohen në afatet e skadencës së produkteve, shoqërimi i tyre me etiketë në gjuhën shqipe si dhe monitorimi i produkteve me origjinë shtazore me mostra të kodifikuara.
Për AKU, problem për mirëmbajtjen e prodhimeve ushqimore përbëjnë tregjet e hapura, të cilat janë jashtë standardeve të një tregu ushqimesh, dhe për më tepër nuk plotësojnë kushtet për të realizuar tregtimin e produkteve me origjinë shtazore.
Një tjetër problematikë për cilësinë dhe sigurinë ushqimore përbëjnë edhe shitësit ambulantë që tregtojnë në lëvizje, të cilët e vijojnë aktivitetin e tyre të përditshëm kryesisht në zonat turistike.
Sipas drejtuesve të Ushqimit në qytetin e Durrësit, në rast se gjatë kontrolleve të ushtruara do të zbulohen raste të shkeljes së ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, subjektet tregtare do të gjobiten me 100 mijë lekë deri në 5 milion lekë të rinj. Kontrollet nga ana e inspektoreve të ushqimit do të shtrihen përgjatë tërë territorit të bregdetit të Durrësit, por ato nuk do të ndalen vetëm në këtë qytet bregdetar.
mit/NOA