Prishtinë, 13 Korrik, NOA - Një zëdhënëse e EULEX-it thotë për BBC-në se në të dy arrestimet e kryera nga policia e EULEX-it të martën në mëngjes, misioni ka shfrytëzuar mandatin e tij ekzekutiv.
Një person u arrestua në Prishtinë me dyshimin për krime lufte dhe tjetri me dyshimin e përfshirjes në korrupsion.
Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, i tha BBC-së se priten edhe veprime të tjera të EULEX-it në luftën kundër 'dukurive negative' në Kosovë, meqë, sipas saj, janë duke u kryer edhe një numër hetimesh të tjera.
Limdal tha se hetimet janë shtrirë edhe në veriun e Kosovës dhe, në veçanti, në rastin e dy incidenteve dhjetë ditë më parë.
Në një intervistë për BBC-në, ajo përjashtoi mundësinë e dërgimit të menjëhershëm të një njësiti të posaçëm policor në veri, megjithëse pranoi se po bëhen bisedime për krijimin dhe trajnimin e një njësiti të tillë që, sipas saj do të jetë shumëkombësh.
Zëdhënësja e EULEX-it u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të mos e politizojnë çështjen e Gjykatës në veri të Mitrovicës, por të punojnë për gjetjen e një zgjidhje pragmatike për këtë problem.
Znj. Limdal, a mund të na sqaroni mbi arrestimet e fundit në Prishtinë?
Ashtu siç e ka thënë në shumë raste kryeprokurori ynë, EULEX-i është i përfshirë në pjesën e hetimeve dhe të prokurorisë në një numër rastesh. Rezultatet do të vijnë në kohën e duhur. Por kjo është pjesë e hetimeve që po zhvillohen, sikur janë edhe hetimet e tjera që po zhvillohen, nga të cilat mund të presim rezultate të prekshme.
Por, kemi dy arrestime gjatë një dite, njëri brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe tjetri me akuzën për krime lufte. Më duket një gamë e gjërë e çështjeve që po mbuloni.
Po, dhe kjo korrespondon me mandatin që ka EULEX-i. Ne kemi funksione ekzekutive në fusha të caktuara, si krimet e luftës dhe korrupsioni në nivel të lartë. Prandaj kjo korrespondon me mandatin që ne kemi.
Dhe ju e cilësoni arrestimin e një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë si një lloj korrupsioni të nivelit të lartë?
Po, është rast i korrupsionit, meqë bëhet fjalë për shmangien e taksave.
EULEX-i ka bërë edhe ndërhyrje të tjera dhe keni paralajmëruar edhe hetime të zgjeruara në disa nga ministritë e qeverisë së Kosovës. Çfarë është bërë me këto raste?
Sikur e thashë, ne jemi të përfshirë në një numër hetimesh por, kur të jetë koha e duhur, do të shohim edhe rezultate të prekshme. Nëse do të ketë arrestime apo diçka tjetër është shumë herët të thuhet. Duhet të kuptojmë se nuk ka nevojë të bëhen arrestime me qëllim të ecjes përpara në hetimet që po zhvillohen. Arrestimet bëhen vetëm në raste kur besohet se i dyshuari mund të ikë ose kur dëshmitë mund të shkatërrohen. Në kohën e hetimeve nuk ka nevojë të bëhen arrestime. Por, sikur e thashë, deri sa të ecim tutje me hetimet do të ketë edhe rezultate të prekshme. Atëherë kur të jetë koha.
Ka patur kritika ndaj EULEX-it, p.sh., pas lirimit nga akuzat të njërit prej udhëheqësve serb të veriut, Milan Ivanoviq. Çfarë po bëni në veri, meqë kishit paralajmëruar kohë më parë se po i shtrini edhe atje hetimet?
Ashtu siç ka deklaruar edhe kryeprokurori ynë, hetimet aty ku ka përgjegjësi EULEX-i, përfshijnë njerëz nga të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Prandaj hetimet po zhvillohen ndaj njerëzve që ndërlidhen me pjesën veriore të Kosovës.
Do të shohim edhe hetime për incidentet në Mitrovicë të Veriut, pas shpërthimit që ndodhi atje dhe plagosjes së një deputeti serb të Kosovës?
Sa u përket ngjarjeve të 2 dhe 5 korrikut, hetimet po udhëhiqen nga një prokuror i EULEX-it, i Zyrës së Prokurorit Special në Kosovë. Hetimet po ecin përpara. Por, kur dhe a do të kemi një përgjigje nga prokurori, është herët të thuhet. Por, EULEX-i e cilëson këtë çështje si të rëndësishme.
Si e vlerësoni situatën në Mitrovicë. Është e qetë ajo pas gjithë asaj që ka ndodhur? Ju jeni të vendosur në veri.
EULEX-i është vendosur në veri të Kosovës që nga dhjetori i vitit 2008 dhe kjo nuk ka ndryshuar. Është e drejtë të thuhet se situata në veriun e Kosovës është e qetë. Por, kreu i misionit iu ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga të gjitha aktivitetet që mund të shihen si provokime dhe që mund të përshkallëzojnë situatën në veri të Kosovës.
Ka patur, zonja Limdal, edhe përplasje verbale mes zyrtarëve të Beogradit dhe atyre të Prishtinës pas deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, për mundësinë e dërgimit të një njësiti të posaçëm shumëkombësh të policisë në veri. A është EULEX-i në ndonjë mënyrë i përfshirë në krijimin e këtij njësiti?
Sikundër e ka thënë kreu i misionit që ditën e premte, tani për tani nuk ka asnjë marrëveshje për dërgimin e ndonjë njësiti të posaçëm të policisë në veri të Kosovës. Por, ajo që EULEX-i po bën, është se po punon me të gjitha palët e interesuara për krijimin dhe trajnimin e një njësiti të posaçëm shumëkombësh policor, i cili mund të përdoret në gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun. Por, tani për tani nuk ka asnjë marrëveshje për vendosjen e ndonjë njësiti të posaçëm policor në veri, ku situata tani është e qetë dhe ne shpresojmë se do të vazhdojë të jetë e tillë.
Ju keni paralajmëruar edhe hapjen e Gjykatës në veri gjatë këtij muaji. Por, duket sikur po hezitoni ta bëni një gjë të tillë?
Siç e dini, është një nevojë urgjente për të rivendosur funksionalizimin e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, që nënkupton kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe atyre serbë. Dhe për ta bërë këtë, duhet një zgjidhje në bashkërendim me të gjitha palët e interesuara. Por ashtu siç e ka thënë edhe kreu i misionit të premten e kaluar, është ende herët të thuhet një datë e caktuar se kur do të mund të ndodhë një gjë e tillë. Por, ne iu bëjmë thirrje palëve që të punojnë në gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike sa më shpejt të jetë e mundur.
Ju thoni se po u bëni thirrje të dyja palëve. Por, Beogradi zyrtar thotë se hapja e gjykatës nuk është në përputhje me ligjet serbe.
Në Kosovë ka vetëm një sistem ligjor. Në drejtësi Kosova është një hapësirë ligjore. Dhe arsyeja pse ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve për të gjetur zgjidhje pragmatike për funksionalizimin e kësaj gjykate, është sepse njerëzit që po vuajnë nga mosfunksionimi i Gjykatës së Qarkut në veri, janë njerëz që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Siç e dini ka një numër shumë të madh rastesh që presin dhe kjo prek jetën e përditshme të njerëzve që jetojnë atje. Po flasim për proceset që kanë të bëjnë me dokumentet e pronave ose me shkurorëzimet, ose edhe me pamundësi të marrjes së kredive bankare për shkak të mungesës së instancës ligjore që mund të proçedojë me rastet. Prandaj, kjo është arsyeja që ne u bëjmë thirrje palëve që të jenë pragmatikë dhe të gjejnë zgjidhje. Kjo sepse, vërtetë, ka të bëjë me njerëzit që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.
Pra, mund të themi se kjo po bëhet më shumë çështje politike se sa çështje e rendit dhe ligjit?
Aspak. Unë po them se kjo nuk duhet të politizohet, sepse ka të bëjë me njerëzit që jetojnë atje dhe me një të drejtë themelore njerëzore. Çdokush ka të drejtë të ketë qasje në një sistem të drejtë të drejtësisë.
BBC