Tiranë, 13 korrik, NOA – Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot në parim ndryshimet në buxhetin 2010. ndërsa opozita u largua nga mbledhja në momentin e votimit.
Deputetët vlerësuan ndryshimet e buxhetit, të cilat vijnë si rezultat i analizës së impaktit në ekonominë reale të politikave të aplikuara deri më tani në bazë të buxhetit vjetor për vitin 2010.
Gjithashtu, gjatë diskutimeve u theksua se buxheti ka marrë edhe vlerësimin maksimal të përfaqësuesve më të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë theksuar se ekonomia shqiptare është jo vetëm një ekonomi e konsoliduar, por gjithashtu është ekonomia që ka njohur rritjen më të lartë në rajon e më gjerë.
Më tej, gjatë diskutimeve u vu në dukje fakti se qeveria synon të ndihmojë ekonominë nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave më të mira ekonomike. Masat e marra për shkurtimin e shpenzimeve janë tregues të një strategjie të kujdesshme në menaxhimin e buxhetit dhe përshtatjen e tij me ekonominë reale. Deputetët vlerësuan se në një kohë kur Bashkimi Europian përballet me borxhin e lartë, plakjen e popullsisë dhe rritjen e ngadaltë ekonomike, efektet e kësaj politike të kujdesshme do të jenë shumë pozitive në një perspektivë afatgjatë.
n.e/NOA