English

Luante me çiften e babait, fëmija vret pa dashje shokun 10-vjeçar

Përmet, 13 korrik, NOA – Në një stan të malit Dhëmbel të Përmetit, një fëmijë ka humbur jetën pasi është vrarë me armë gjahu.

Menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur forcat e policisë të qytetit juglindor, ku kanë rezultuar se në një stan në afërsi të kishës së “Shën Todhrit”, fëmija i cili mbante inicialet V.O, me moshë 10 vjeç, nga fshati Varibob i Dëshnicës, ka humbur jetën si pasoje e plagëve të marra nga një çifte teke.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se fëmija që ka humbur jetën, është qëlluar nga pakujdesia duke luajtur me njëri-tjetrin nga një fëmijë tjetër 11-vjeçar, me inicialet E.M nga fshati Rapckë i Piskovës, të rrethit Përmet.

Të dy fëmijët kishin shkuar në mal për t’u ndihmuar prindërve për bagëtitë, pasi prindërit e tyre ishin ortakë me njëri-tjetrin.

Ata në mëngjes kishin shkuar me bagëti dhe fëmijët i kishin lënë në stan, ndërsa të vegjëlit duke luajtur me njëri-tjetrin me armëm e gjahut, e kanë shkrehur pa dashje dhe për pasojë 10-vjeçari me inicialet V.O, ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ndërkaq, fëmija me inicialet E.M, është marrë në pyetje nga ana e policisë në prani të psikologut, prokurorit dhe të prindërve dhe më pas është lënë i lirë për arsye të moshës së mitur.

Më pas, është bërë sekuestrimi i armës së gjahut e cila është me leje në pronësi të babit të viktimës, kurse materialet iu kaluan prokurorisë së Përmetit për veprën penale të ”Vrasjes nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE