Nesër Takimi Pd-Ps Për Hetimin E Zgjedhjeve
TIRANË, 13 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të ulen nesër në tryezën e negociatave për të gjetur modalitetet mbi hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.
Krerët e dy grupeve më të mëdha në Kuvend, Astrit Patozi për Partinë Demokratike të maxhorancës dhe Gramoz Ruçi për Partinë Socialiste të opozitës, janë ngarkuar nga forcat e tyre politike për të nisur dialogun rreth ngritjes së komisionit hetimor, që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, një çështje kjo e shumëdebatuar dhe që po mban peng bashkëpunimin mes dy partive kryesore.
Miratimi i rezolutës për Shqipërinë nga ana e Parlamentit Europian më 7 korrik i vuri të dy palët para përgjegjësisë për rivendosjen e shpejtë të dialogut dhe zgjidhjen e ngërçit politik.
Por, ky dokument, ndërsa është përshëndetur si nga PD dhe PS, lexohet dhe intepretohet në mënyra të ndryshme nga të dy palët. Kryetari i PS-së, Edi Rama pretendon se pika e rezolutës që kërkon hetimin e materialeve zgjedhore, nënkupton që parlamenti të hetojë dhe fletët e votimit.
Ndërsa, kryeministri Sali Berisha është shprehur se për t'a bërë këtë, parlamentit i duhet më parë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, ose Komisioni i Venecias.
Mënyra e hetimit të materialeve zgjedhore nga komisioni hetimor mbetet çështja kryesore, që pritet të zgjidhet në takimet mes kryetarëve të dy grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, Patozi dhe Ruçi.
Pas takimit në Strasburg më 21 maj mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve, dialogu maxhorancë-opozitë u ndërpre, ndërsa takimi i nesërm pritet të shënojë rivendosjen e tij.
Takimi i nesërm vjen menjëherë pas deklaratave të djeshme që ambasadori belg, Mark Mishelsen, përfaqësues i Presidencës së re të BE-së bëri në Tiranë. Ai ftoi partitë politike që të gjejnë sa më shpejt mirëkuptimin për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar prej një viti./n.m/