Shkup, 13 Korrik, NOA – Partitë politike maqedonase kanë hedhur poshtë projektin e formimit të parlamentit dydhomësh në Maqedoni, një ide e hedhur nga partitë shqiptare.
Propozimi për formimin e parlamentit dydhomësh në Maqedoni, i hedhur së fundi nga partia opozitare PDSH, është komentuar nga shumica e subjekteve parlamentare.
BDI ka vlerësuar se kjo temë nuk është aktuale dhe se ajo përdoret nga PDSH-ja vetëm për nevojat e politikës ditore.
“Është legjitime të shprehen bindjet nga çdokush, por është punë tjetër se këto a korrespondojnë me realitetin. Për të ndodhur diçka e tillë, në asnjë rast nuk guxon të jetë e njëanshme, dhe në asnjë rast nuk duhet të jetë një iniciativë nga një parti politike”, ka theksuar deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
Partia më e madhe opozitare maqedonas LSDM ka nënvizuar se është kundër një projekti të tillë dhe se Marrëveshja e Ohrit sipas tyre është kornizë e gjerë për të plotësuar kërkesat e shqiptarëve.
“Ne jemi kundër një projekti të tillë, sepse Marrëveshja e Ohrit është kornizë e gjërë për të realizuar kërkesat”, ka theksuar nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgievski.
Deputeti i Partisë Liberale, Stojan Andov ka theksuar se idetë e tilla duhet të shpalosen pranë institucioneve dhe jo nëpërmjet medieve.
Ish-kryeparlamentari dhe kryetari aktual i PRSD-së, Tito Petkovski ka nënvizuar se Parlamenti dydhomësh do të vendos në pikëpyetje funksionimin e shoqërisë multi-etnike në Maqedoni.
Kryetari i PDSH-së fundjavën e kaluar para anëtarëve të këshillit drejtues propozoi idenë e Parlamentit dydhomësh në Maqedoni dhe paralajmëroi vazhdimin e bojkotit të Parlamentit nga ana e 5 deputetëve të partisë së tij.
NOA-INA