English

Personazh - Erdogan Lideri Më I Ruajtur I Rajonit

STAMBOLL, 13 korrik /ATSH-MIA/ - Kryeministri turk, Recep Taip Erdogan ka shtuar kohët e fundit masat e sigurisë, çka mund të vërehet lehtë gjatë paraqitjeve të tij në publik gjatë javëve të fundit, njofton media turke. Kryeministri turk edhe më parë ishte ruajtur sipas rregullave shumë të ashpra, por pas krizës turko-izraelite dhe pas sulmeve të shpeshta të PKK-së, janë marrë masa të jashtëzakonshme, sidomos edhe pas disa informacioneve për atentate të mundshme kundër Erdoganit. Eskorta personale e Erdoganit, i cili është lideri më i ruajtur në Turqi dhe rajon, përbëhet prej rreth 50 personave. Truprojat e tij janë më të gjatë se Erdogan dhe e rrethojnë përherë kryeministrin turk në formën e murit. Para se të arrijë në një vend të caktuar, largohet prej andej gjithçka e dyshimtë. Kryeministri qëndron afër njerëzve, ndërsa në ndërtesat përreth ka gjithmonë snajpera. Masat të njëjta sigurie zbatohen edhe kur Erdogan shkon për falje apo varrime në xhami. Për herë të parë këtë vit nuk njoftohet as vendi ku Erdogan do të shkojë për pushimet e verës. Javën e kaluar, së bashku me familjen e tij, Erdogan u nis për pushimet verore, por edhe pse kjo temë u interesonte gazetarëve, askush nuk mori informacione për vendndodhjen e tij. Gjatë largimit nga rezidenca e kryeministrisë, sipas disa mediave, ishte përdorur sozia e tij, automobili i të cilit tërhoqi vëmendjen e paparacëve që e pritnin para rezidencës. Janë përforcuar gjithashtu masat edhe për sigurimin e të bashkëshortes së kryeministrit, Emine Erdogan, e cila me pak përjashtime, çdoherë e shoqëron jashtë vendit./ a.jor.
KOMENTE