Pogradec, 13 korrik, NOA – Një ish i dënuar për armëmbajtje pa leje bie në prangat e policisë së Korçës, pasi gjatë kontrollit të banesës së tij nuk iu bind policisë duke i kanosur inspektorët me armë zjarri.
Bëhet fjalë për 45 vjeçarin Myrderi Verdho, nga Leshnica e Pogradecit.
Dje, pas një operacioni të forcave të policisë të Komisariatit të Pogradecit në bashkëpunim me hetues të krimit Drejtorinë e Policisë së Korçës, Myrderi Verdho u arrestua në flagrancë për mbajtjen në shtëpi të një arsenali armësh luftarake.
Gjatë bastisjes së banesës së tij nga policia, dje rreth orës 13.30 Murderi Verdho kundërshtoi me armë policët, me synimin e fshehjes së armëve të cilat i kishte në banesë.
Gjatë këtij kontrolli policia sekuestroi si provë materiale tri armë zjarri pistoleta të tipit TT; një armë zjarri automatik tip kallashnikov; 200 copë kapsolla detonatore; 50 m fitil zjarrpërcjellës; një aparat për shpërthimin e lëndëve plasëse; 10 kallëp tritol dhe një sasi kartëmonedhash, 3000 euro, 1000 dollarë dhe 2.000.000 lekë.
Policia e Korçës dhe një grup hetuesish të krimeve të rënda bëjnë të ditur se Myrderi Verdho akuzohet për disa vepra penale, kryesisht vrasje të ndodhura më parë në Pogradec.
mit/NOA