English

Rehatimi i Ballkanit (3)

Nëse serbët dëshmojnë se realisht nuk janë të interesuar në një marrëveshje, Perëndimi duhet të bëjë atë që kurrë nuk ka qenë i përgatitur ta bëjë: ta vendosë nën kontroll rajonin verior të Kosovës, të dominuar nga serbët. Beogradi duhet ta kuptojnë se dështimi për të arritur marrëveshje do të thotë se ai do ta humbë çfarëdo shansi që mund të ketë në negociata për ta rimarrë Veriun

Nga Morton Abramowitz & James Hooper

Lexoni: REHATIMI I BALLKANIT (2)

Ne besojmë se parakushti thelbësor për procesin negociator Kosovë-Serbi, që nuk shpie në destabilizim rajonal, është mirëkuptimi midis SHBA’së dhe aleatëve për një marrëveshje e cila i përshtatet këtyre parametrave: 1. Pranimi i Parimit të Helsinkit, sipas të cilit, ndryshimet e kufijve midis shteteve nuk mund të imponohen, por janë të pranueshme nëse ekziston pajtueshmëria reciproke. Kjo do të parandalonte çdo tundim për ta vendosur ndarjen e Kosovës vetëm sa për ta qetësuar Beogradin, por do ta linte derën hapur për një shkëmbim territorial për të cilin të dyja palët do të pajtoheshin nëse do t’i plotësonte nevojat e tyre dhe ta ndihmonte stabilizimin e marrëdhënieve. 2. Pajtueshmëri nga Serbia për ta lejuar Kosovën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe gatishmëri nga Kosova për t’u pajtuar me këmbënguljen e Serbisë që vendosja e marrëdhënie diplomatike me Kosovën të mos jetë e detyrueshme aktualisht, pasi ajo është realitet i politikës serbe. 3. Përkushtim nga NATO për ta përfshirë Kosovën në Aleancë, pas çfarëdo zgjidhjeje të negociuar me Serbinë. Kjo do t’i ndihmonte autoritetet për t’iu rezistuar tendencave irredentiste. 4. Forcimin e sigurisë të Maqedonisë, si një polisë sigurimi kundër shpërthimeve të papritura pas bisedimeve. Kjo nënkupton një përpjekje të përgjithshme perëndimore për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe anëtarësimin e shpejtë të Maqedonisë në NATO. 5. Një vërejtje e unifikuar dhe e qartë për Kryeministrin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, se shkëputja nga Bosnja është krejtësisht e papranueshme, nga frika se ai do t’i përshkallëzojë përpjekjet e tij dhe do të kalojë nga tentimi i dobësimit të Qeverisë së Bosnjës në një iniciativë të fuqishme për t’u ndarë nga Bosnja dhe bashkuar me Serbinë. 6. Qëndrimi i forcave ushtarake perëndimore në një nivel të caktuar në Kosovë, derisa të mos ketë një zgjidhje më të mirë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. 7. Një afat për kontrollin perëndimor politik të Kosovës. Pa marrë parasysh nëse bisedimet kanë sukses apo jo, viti 2012 duhet të jetë fundi i marrëveshjes për EULEX’in. Duhet të ekzistojë një dispozitë për ndihmë të gjerë teknike dhe ekonomike për Qeverinë e Kosovës. Nëse bisedimet paraprake jozyrtare me serbët dhe kosovarët, në një kohë të përshtatshme, tregojnë se marrëveshja nuk ka gjasa të arrihet, Perëndimi duhet ta ndalë procesin përpara fillimit të bisedimeve formale që rrisin pritshmëritë dhe mund t’i bëjnë dëm stabilitetit rajonal. Nëse serbët dëshmojnë se realisht nuk janë të interesuar në një marrëveshje, Perëndimi duhet të bëjë atë që kurrë nuk ka qenë i përgatitur ta bëjë: ta vendosë nën kontroll rajonin verior të Kosovës, të dominuar nga serbët. Beogradi duhet ta kuptojnë se dështimi për të arritur marrëveshje do të thotë se ai do ta humbë çfarëdo shansi që mund të ketë në negociata për ta rimarrë Veriun. Pastaj, shtetet perëndimore ngadalë, por në mënyrë të vendosur, do ta integronin pjesën veriore të Kosovës në autoritetin qeverisës të Prishtinës, pavarësisht rezistencës së dhunshme serbe, që është e mundshme. Ne vërtet besojmë se një veprim i tillë duhet të bëhet para se të nisin negociatat - duke i arrestuar krerët e bandave politiko-kriminale serbe që kontrollojnë Veriun - për ta bërë të qartë shqetësimin e Perëndimit për ndarje, por e pranojmë se është shumë vështirë që SHBA’ja dhe aleatët e saj të jenë të prirur, ose të pajtohen, për ta bërë një veprim të tillë, tash ose më vonë. Kjo është për keqardhje. Ne nuk jemi adhurues të mëdhenj të politikës aktuale të Perëndimit ndaj Ballkanit, dhe nuk marrin asgjë të gatshme në lidhje me atë që Perëndimi bën atje. Një Kosovë e parehatuar mund të krijojë probleme për gjithë rajonin. Zgjidhja mund të mos jetë e lehtë, dhe situata mund të mbetet një konflikt i ngrirë. Në të vërtetë, mund të mos ketë negociata thelbësore. Por, një zgjidhje do ta ndihmonte forcimin e katër shteteve të trazuara të ish-Jugosllavisë, dhe mendimi i GJND’së e ofron një mundësi të tillë. Perëndimi duhet ta përdorë iniciativën për çështjen e Kosovës për të bërë Bosnjën një shtet më efektiv dhe për ta ndihmuar zgjerimin e integrimit shqiptar në Maqedoni, duke vazhduar përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit. Morton Abramowitz është bashkëpunëtor i lartë në Century Foundation dhe ish udhëheqës i Carnegie Endowment for International Peace. James Hooper është drejtor menaxhues i organizatës joqeveritare Public International Law and Policy Group, e cila ofron ndihmë ligjore falas për shtetet dhe vendet e përfshira në konflikte

KOMENTE