Rusi - Anna Chapman Trajtohet Si "Yll" Në Gazetat Ruse
MOSKË, 13 korrik /ATSH-ANSA/ - Dhjetë agjentët rusë të infiltruar në Shtetet e Bashkuara, që më pas u zbuluan dhe arrestuan nga autoritetet amerikane, janë në Rusi dhe po bashkëpunojnë me kolegët e shërbimeve sekrete ruse (Svr), shkruan sot e përditshmja moskovite "Moskovski Komsomolets", duke konfirmuar se ata aktualisht ndodhen në Iasienievo, në periferi të Moskës.
Por të gjitha të përditshmet e tjera ruse flasin për Anna Kushenkon, e njohur si Anna Chapman, që tashmë kujtohet nga moskovitët si "Anna e Kuqe", "Anna e bukura", ose "Agjenti 90-60-90".
Anna lindi në Voronesh në vitin 1982 ku jetoi për 17 vjet dhe më pas udhëtoi me të atin, atëherë një zyrtar i KGB-së. E përditshmja "Nezavisimaia Gazeta" shkruan se në qytetin e lindjes janë shumë shoqata që duan të bëjnë konkurse, të shkruajnë këngë dhe poezi dhe të organizojnë maratona në emër të saj. Madje edhe politikanët lokalë nuk e përjashtojnë mundësinë për ta kandiduar atë në Dumën lokale, ndoshta edhe në atë shtetërore.
Të tjera të përditshme do të donin ta shihnin Anën në televizion si një "show star", ndërsa një ish i fejuar i saj ka deklaruar për gazetën "Moskovskaia Pravda" se kishte vuajtur shumë gjatë kohës që ajo ndodhej në burg dhe se dëshironte ta takonte sërish në Volgograd, ndoshta për të rinisur një marrëdhënie.
/e.v/