Shba - Arrestohet Spiuni I 12-Ë I Implikuar Në Skandalin E "007"-Ave Ruse
NJU JORK, 13 korrik /ATSH-ANSA/ - Autoritetet amerikanë kanë arrestuar një tjetër person, i 12-ti, të implikuar në skandalin e spiunëve rusë, në qendër të një shkëmbimi historik me Moskën, shkruan sot e përditshmja "Wall Street Journal" duke cituar burime amerikane të informuara për këtë çështje.
Bëhet fjalë për një rus 23 vjeçar i hetuar nga FBI që prej vjeshtës së kaluar. Nuk është ende e qartë se çfarë e ka tërhequr interesin e hetuesve amerikanë te djali i ri, i cili ishte vënë nën vëzhgim që prej tetorit të vitit 2009 kur hyri në Shtetet e Bashkuara me një vizë që e kishte marrë dy muaj më parë.
Burimet e gazetës shpjeguan se hetuesit nuk kanë mbledhur prova të mjaftueshme për akuzën. Në fakt hetuesit janë bindur se rasti i djaloshit është i ndryshëm nga ai i Anna Chapman dhe spiunëve të tjerë që javën e kaluar i pranuan akuzat para se të dëboheshin nga Shtetet e Bashkuara, në kuadër të një marrëveshje diplomatike me Rusinë për shkëmbimin e tyre me katër spiunë që kishin dhënë informacione për shërbimet sekrete perëndimore.
Burimet e gazetës deklaruan se i riu nuk do të paditet por do të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara.
/e.v/