English

Shëndetësi- Infermierët Nevojë Për Edukim Të Vazhdueshëm

TIRANE, 13 Korrik/ATSH/- Infermierëve nuk u mjaftojnë vetëm njohuritë që marrin gjatë shkollës për ushtrimin e profesionit të tyre, por duhet të sigurojnë një edukim të vazhdueshëm dhe kjo realizohet përmes trajnimeve, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit të tyre ndaj pacientit, por edhe arritjen e standardeve që kanë homologët e tyre evropianë në institucionet spitalore të cilësisë së lartë. Ky ishte konkluzioni i Workshopit me temën "Të përcaktojmë nevojat, të gjejmë mundësitë dhe kapacitetet, për realizimin sa më efektiv të edukimit të vazhdueshëm profesional", organizuar nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, në bashkëpunim me Kooperacionin Zvicerian, në mjediset e hotel "Doro". Takimi u organizua me kapacitetet e krijuara ndër vite në kujdeset infermierore nga të gjitha rrethet e vendit me objektiv "Të përgatisim trajnerët e nevojshëm për realizimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm profesional në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit". Presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi, theksoi se "mbetemi te angazhuar seriozisht në misionin për rritjen e kujdeseve infermierore dhe kujdesit shëndetësor gjithashtu, në mbështetje të kujdesit ndaj pacientit". Për këtë, tha ai, po zhvillohen një sërë aktivitetesh për trajnimet e infermierëve në të gjithë vendin. "Trajnimi i infermierëve për të rritur cilësinë e tyre në shërbimin ndaj pacientit paraqitet me mjaft rëndësi. E para, për të arritur nivelet e shërbimeve evropiane në këtë sektor, por edhe për të përmbushur kërkesat e kohës", pohoi Skënderi. Sipas tij, infermierët, megjithë njohuritë që marrin në shkollë, kanë patjetër nevojë për edukim të vazhdueshëm edhe pas saj, për të fituar një sofistikim të mëtejshëm të profesionit të tyre. Pa eksperiencën, një infermier nuk është i kompletuar. Ky ka qenë në fakt edhe thelbi i debatit që është zhvilluar pak kohë më parë mbi nxjerrjen nga puna të mijëra infermierëve që nuk disponojnë diplomë universitare, por qe kanë vite të tëra përvoje, mjaft të vlefshme. E pikërisht, nga ky takim me shumë rëndësi, doli si konkluzion se nevojat e infermierëve për trajnim janë shumë të larta, për vetë formimin e ndryshëm që ata kanë, pasi disa vijnë nga fakultetet e shumë prej tyre nga kurset e mëparshme që kanë ekzistuar. Infermierët theksuan se ky formim kërkon më tepër seriozitet dhe mbështetje nga institucionet shëndetësore, të cilat duhet t'i kushtojnë më tepër rëndësi burimeve njerëzore për shërbimet e kujdesit profesional dhe atij shëndetësor në veçanti. Trajnimi u konkludua në këtë takim edhe si i rëndësishëm për përballimin e emergjencave shëndetësore si, gjendja e shokut etj. "Ndërkaq, vlerësohet si mjaft i rëndësishëm edhe kombinimi i njohurive profesionale që një infermier ka marrë në shkollë, me etikën e duhur të komunikimit për t'u ofruar shërbimin e duhur pacientëve", shtoi Skënderi. Takimi, i cili u mbështet edhe nga ministria e Shëndetësisë, kishte si të ftuar edhe drejtorin e Politikave Shëndetësore në këtë dikaster, Pëllumb Pipero, i cili vlerësoi punën e realizuar nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë për edukimin e vazhdueshëm të infermierëve. "Rritja e punës për kujdesin e punës së infermierëve ndaj pacientëve të tyre, është një nga problematikat kryesore të punës në sektorin e shëndetësisë", deklaroi Pipero. Pas trajnimit në këtë Workshop të trajnerëve të parë, ata do të nisin punën konkrete në rrethe, për të trajnuar infermierët e të gjitha qendrave shëndetësore në të gjithë vendin dhe gjithë institucionet shëndetësore në tërësi në kuadrin e një kujdesi të vazhdueshëm profesional ndaj tyre duke synuar rritjen e kujdesit infermieror ndaj pacientit në tërësi. Në fund, infermierët thanë gjatë këtij Workshopi se vlerësimi i qeverisë për rritjen e pagave të tyre për këtë vit, nuk ishte ai që ata meritojnë për punën që bëjnë. Dje, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi në Komisionin Parlametar të Shëndetësisë se edukimi i vazhdueshëm i mjekëve dhe infermierëve përbën suksesin e reformës. Në këtë proces janë përfshirë mbi 6 mijë mjeke e stomatologë, për të cilët janë realizuar 107 seminare në 6 muajt e fundit./e.gj//a.ke/
KOMENTE
  • alba22:09 - 01 Shkurt 2011
    do doja une dhe besoj gjith infermiert te kishim njoftime dhe informacione per konferencat si dhe trainimet e ndryshme qe te jemi edhe ne pjesmares te tyre.nuk kemi asnje informacin ne qendarat tona te puneve per trainimet qe te mund te jemi pjesmares