English

Shqipëria Dhe Kosova, Bashkëpunim Për Sigurinë Dhe Shëndetin Në Punë

TIRANE, 13 Korrik/ATSH/- Inspektorja e Përgjithshme, Vikrita Çuto, priti në një takim Kryeinspektorin e Agjencionit Ekzekutiv të Inspektoriatit të Punës të Kosovës (AEIP), Basri Ibrahimi, ku i siguruan njeri-tjetrit bashkëpunim sa me efikas si dhe shkëmbim eksperiencash në favor të forcimit të rolit të inspektoriatit në të dy vëndet. Kryeinspektorja Çuto e njohu homologun nga Kosova mbi funksionimin e Inspektoriatit të Punës, i cili konsiston në zbatimin e legjislacionit lidhur me kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve në ushtrimin e profesionit të tyre, kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurimin në punë, punësimin e fëmijëve si dhe çështje të tjera lidhur ngushtë me to. Ajo prezantoi edhe risitë që sjell ligji i ri për sigurinë e shëndetin në punë dhe pritshmëritë nga zbatimi i këtij ligji. "Ne po punojmë në ndërgjegjësimin e subjekteve që tashmë të investojnë për vënde pune të sigurta dhe të shëndetshme. Po sensibilizojmë bizneset se u kushton më lirë të investojnë për sigurinë e punonjësve të tyre, sesa në rast aksidentesh ata do paguajnë më shumë. Në tremujorin e parë të vitit, ne shënuam një ulje të numrit të aksidenteve krahasuar me vitin e kaluar", vijoi Çuto. Kryeinspektori i AEIP-së, Basri Ibrahimi, theksoi se, "qëllimi ynë është të mbrojmë njeriun të jetë i sigurtë në punë. Inspektorët tanë, tashmë duhet të jenë më të ashpër në zbatimin e ligjit në funksion të mbrojtjes së jetës së punonjësve". Më pas, ai përshkroi historikun e AEIP, i cili është themeluar prej Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale, në pajtim me konventën Nr.81 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës ILO. AEIP, funksionin e vet e ushtron në 30 komunat e territorit të Kosovës, nën autoritetin e Ministrit të MPMS. Ne to ka 52 inspektorë pune të profilit juridik dhe profileve teknike. Në fund, të dy homologët siguruan njeri-tjetrin për shkëmbim eksperiencash dhe një bashkëpunim sa më efekas në rritje të standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe ILO./e.gj//a.ke/
KOMENTE