English

Speciale-Botëror/ Kupa E Botës 2010, Miks Kujtimesh Dhe Emocionesh

- Nga "instrumenti i ferrit", vuvuzelat, deri te oktapodi parashikues Paul. Nga goli i anuluar i Lampardit te arrestimi i bukurosheve holandeze - TIRANË, 13 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Kampionati i 19-të Botëror i Futbollit përfundoi me triumfin e Spanjës, kampionia e tetë në historinë 80-vjeçare të kompeticionit dhe i pesti ekip europian që fiton trofeun. Por, ai do të kujtohet gjithmonë për vuvuzelat, "instrumenti muzikor i ferrit", por edhe për parashikimet me saktësi absolute të oktapodit Paul. Gjithsesi, janë 10 arsye që ky Botëror do të kujtohet deri sa të vijë ai pasardhës, në vitin 2014, pikërisht në Brazil, kombi rekordmen përsa u përket trofeve, pesë të tillë, por edhe i sambës magjepëse. 1. Vuvuzelat Për shumë persona "Afrika e Jugut 2010" do të jetë gjithmonë sinonimi i borive plastike, vuvezelave. FIFA hodhi poshtë çdo synim për t'i hequr ato nga stadiumet, pavarësisht se boria u përshkrua nga një gazetar afrikanojugor si "instrumenti i ferrit". Fakt është se zhurma kolektive që krijonin ato ishte vërtet shqetësuese, por ato vazhdojnë edhe sot të shiten me ritme marramendëse. 2. Topi "Jabulani" Asnjë Kupë Bote nuk ka shkuar pa u kritikuar topi zyrtar, por "Jabulani" - kuptimi i të cilit do të thotë "të jesh i lumtur" në gjuhën zulu- u shndërrua në një çështje. "Topi më i rrumbullakët në histori" u kritikua thuajse nga çdo lojtar dhe trajner si para, ashtu dhe gjatë zhvillimit të Botërorit. "Dënimi" i tij do të vazhdojë për një kohë të gjatë, përfshirë dhe portierin e Anglisë, Robert Grin, autor i nja gafe qesharake. 3. Trajnerët modernë Përpara Kupës së Botës, Johakim Lëv ishte ndoshta më i mirënjohur për koleksionin e tij të shalleve. Por sapo filloi kompeticioni trajneri gjerman dhe asistenti i tij, Flik, ishin të veshur me bluza pambuku blu. "Nuk jam ndonjë supersticioz, pro stafi teknik dëshiron që unë të vesh bluzë blu, pasi ne gjithmonë shënojmë katër gola kur e bëj këtë", tha Lëv për tabloidin anglez "Sun". Bluza fatsjellëse doli jashtë mode në gjysmëfinale, kur Gjermania u mund nga Spanja. 4. Gol kunder Brazilit Askush në Republikën Demokratike të Koresë, apo Koresë së Veriut, do të besonte në një triumf të ekipit të tyre, por të vetmin gol që shënuan ata në Kupën e Botës ishte ai kundër Brazilit, pesë herë kampionëve të botës, kur Ji Hun-Nam, zakonisht një lojtar rezervë, lëshoi një silurë në ndeshjen e mbyllur 2-1. Më pas, koeranët humbën me rezultatin 7-0 me Portugalinë dhe 3-0 me Bregun e Fildishtë, duke arkëtuar 12 gola në tri ndeshje, më shumë se çdo ekip tjetër. 5. "Goli" i Lampardit Pasi kaloi një kualifikim aspak të qetë në fazën e grupeve, Anglia, vendi që shpiku futbollin, u gjet në raundin tjetër përballë 'armikut' të vjetër. Anglia e meritonte të humbiste kundër Gjermanisë (4-1), por gjuajtja e Frenk Lampardit në pjesën e parë, kur topi pasi goditi shtyllën kaloi qartë vijën portës e kur rezultati do të shkonte në 2-2 nuk u konsiderua gol nga gjyqtarët. E vetmja gjë pozitive ishte se Sep Blater premtoi se FIFA do të rihapte diskutimin për videoteknologjinë. 6. Ecuria e Ganës Kupa e parë e Botës e organizuar në Afrikë dëshmoi varfërinë e ekipeve afrikane. Afrika e Jugut, Nigeria, Bregu i Fildishtë, Kameruni dhe Algjeria dështuan në kalimin e fazës së grupeve. "Yjet e zinj" të Ganës mundën Shtetet e Bashkuara në raundin e një të tetave, duke rritur entuziazmin në mbarë Afrikën. U duk se ajo do të ishte ekipi i parë që do të arrinte në gjysmëfinale, deri sa ajo u përball me Uruguajin. 7. Dora e Zotit Luis Suarez do të konsiderohet gjatë si një hero kombëtar në Uruguaj, kur ai në minutën e fundit të shtesave i ndaloi me dorë Ganës të shënonte golin fitues. Problemi i vetëm ishte se Suarez ishte një sulmues, dhe jo një portier. Ai u ndëshkua me karton të kuq, por gëzimi i tij i egër në tunelin drejt dhomës së zhveshjes pasi Asamoah Gian nuk arriti të realizojë nga penalltia, e bëri të deklaronte edhe me një dozë humori se ai kishte bërë "pritjen më të mirë në kampionat". 8. Diego Maradona Shumë ishin përgatitur që të shikonin Argjentinën si fituese të Botërorit, edhe pse ajo kishte mbërritur në Afrikën e Jugut pas një fushate aspak të qetë e më një gol të minutës së fundit. Disa nga aspektet e stilit të tij të trajnimit të skuadrës u bënë shumë të famshme. Për shembull, pas përfundimit të seancave stërvitore, disa lojtarë ishin të detyruar që t'u kthenin shokëve mollaqet, ndërkohë që këta të fundit u gjuanin pa mëshirë, derisa ekipi pësoi katër gola nga Gjermania dhe u kthye me turp në shtëpi. 9. Holandezet e bukura Kur 36 femra seksi të veshura në portokalli dhe me minifund u përzunë gjatë ndeshjes Holandë-Danimarkë, pasi ishin bërë pjesë e një spoti publicitar të parregullt për një kompani birre holandeze, incidenti bëri bujë në të gjithë botën. Më pas u morr vesh se ato kishin përdorur bileta nga transmetuesi ITV e të dhëna nga Robert Irl, të cilat ishin për përdorimin e miqve dhe familjes së tij. Irli u pushuan nga puna. Dy prej 36 bukurosheve u arrestuan, por çështja më pas u tërhoq. 10. Oktapodi Paul I lindur në Uejmuth, oktapodi më i famshëm në botë, Paul, nga akuariumi ku jeton në Oberhauzen të Gjermanisë, parashikoi në mënyre korrekte të gjitha ndeshjet e Gjermanisë. Aftësitë e jashtëzakonshme të moluskut bënë bujë në të gjithë botën dhe çmimi i tij u rrit. Argjentinasit donin ta piqnin në hell, madje edhe vetë gjermanët më pas donin ta kishin si ushqim në tavolinë, ndërkohë që "tetëkmbëshi ujor" fitoi edhe mbrojtjen speciale të kryeministrit të Spanjës, Zapetero./s.s./
KOMENTE