English

Sport-Merkato/ Merkato Verore, Afrime Dhe Largime Në Superligë

TIRANË, 13 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Klubet shqiptare të futbollit vijojnë përgatitjet e tyre për fillimin e sezonit të ri futbollistik. Një aspekt i rëndësishëm i përgatitjeve të këtij muaji është edhe plotësimi apo forcimi i organikës me lojtarë të rinj. Megjithatë përveç afrimeve, nga kampionati shqiptar ka edhe largime. Abraham Alechenu është larguar nga Tirana për t'u aktivizuar në superligën greke me skudrën e Iraklis. Nigeriani ka udhëtuar drejt Greqisë për të zhvilluar fillimisht një provë disa ditore e më pas për të firmosur nëse bie dakort me drejtuesit e skuadrës greke. Abraham nuk ka zgjedhur të luajë me Tiranën në turin e dytë të Europa Ligës, por ka preferuar që pas më shumë se pesë vitesh në vendin tonë, të provojë një aventurë të re në shtetin helen. Ndërsa dy futbollistët serbë, Ivan Stankoviç (mesfushor, 27 vjeç) dhe Ivan Babiç (sulmues, 29 vjeç) mund të jenë përforcimet e radhës te Skënderbeu i Korçës. Dy lojtarët serbë kanë rënë parimisht dakord me presidentin e klubit korçar, Agim Zeqo. Skënderbeu nën urdhrat e trajnerit Shkëlqim Muça ka nisur fazën përgatitore në Mavrovë të Maqedonisë. Ndërkohë qendërmbrojtësi i njohur Julian Brahja (29 vjeç) pritet të veshë fanellën e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm të Kategorisë Superiore. Ish-kapiteni i Laçit (mori karton të kuq në ndeshjen e Ligës së Europës kundër bjellorusëve të Dnepr Mogilev) ka rënë parimisht dakord me presidentin Shpëtim Gjika. Flamurtari është në bisedime edhe me mbrojtësin e Tiranës, Andi Lila. Ndërsa në fokusin e Teutës së Durrësit janë Dritan Xhixha (24 vjeç), Arben Likmeta (23 vjeç) dhe Teodor Përleshi (19 vjeç). Tre lojtarët do të testohen për vlerat e tyre nga trajneri Edi Martini. Shtatë lojtarë të rinj janë afruar deri tani në merkaton verore, ndërkohë që krahas boshnjakut Ermir Gajanoviç do të vijë edhe një mbrojtës nga Mali i Zi./s.s./
KOMENTE