Liderët e Turqisë, të Serbisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit u tubuan këtë fundjavë në përkujtim të 15-vjetorit të masakrës së Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë, në një ngjarje, e cila nga zyrtarët turq, shihet si kurorëzim në fushatën diplomatike rajonale të Ankarasë
Nga "Wall Street Journal" Dhjetëra-mijëra njerëz u mblodhën të dielën për ta përkujtuar ekzekutimin e afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë nga ushtria serbe e Bosnjës, në atë që Gjykata Ndërkombëtare e ka vlerësuar si një akt të gjenocidit. Gjatë kësaj ceremonie u varrosën edhe 775 viktima. Prania e kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në këtë funeral, thekson çështjen se si Ankaraja u fut në zbrazëtinë në Bosnjë, të lënë nga dështimi i përpjekjeve të gjata të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, për të siguruar zgjidhje të re kushtetuese, që synon stabilitet në vendin ende të përçarë, që përbëhet nga myslimanët e Bosnjës, nga serbët dhe nga kroatët, thonë diplomatët. “Ne bëmë çdo gjë, ku Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ishin së bashku, por ne ende nuk patëm sukses”, tha një diplomat i lartë perëndimor në Sarajevë, duke folur për të ashtuquajturin proces të Butmirit për ndryshimin e Kushtetutës. Shkaku është se pa Rusinë, që do të punonte për t’i bindur liderët e entitetit serb të Bosnjës, dhe pa Turqinë, që do t’u bënte presion liderëve myslimanë të Bosnjës, marrëveshja “nuk mund të arrihej”, thotë diplomati. Derisa procesi ishte ndalur vitin e kaluar, Ankaraja u fut me përpjekje paralele, me synimin që liderët e Serbisë, të Bosnjës dhe të Kroacisë, të bisedonin, thotë Suha Umar, ambasador i Turqisë në Beograd. Për këtë arsye, sipas tij, Turqia “është dashur të intervenojë”. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në ceremoninë e së dielës, mori njëfarë duartrokitjeje dhe disa kishin pyetur “ku është Mlladiqi”, ka raportuar Asoshieted Pres. Komandanti ushtarak serb i Bosnjës, Ratko Mlladiq, ishte përgjegjës për operacionin në Srebrenicë. Ai është akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, por ende është në arrati. Zoti Tadiq ka premtuar të bëjë “çdo gjë të mundshme” që të dyshuarit për krime të luftës të kapen. Në mars, Beogradi, për të parën herë, formalisht i dënoi vrasjet në Srebrenicë, lëvizje kjo për të cilën diplomatët perëndimorë thonë se ishte ndërmjetësuar nga Turqia dhe kishte për synim lehtësimin e rrugës së Serbisë për në Bashkimin Evropian. Kryeqytetet perëndimore në masë të madhe e kanë mirëpritur involvimin në rritje të Turqisë në Ballkan, ndryshe nga Lindja e Mesme, ku votimi i Ankarasë kundër sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe raportet në rritje armiqësore me Izraelin, në Uashington kanë shkaktuar brengosje lidhur me drejtimin e aleatit kryesor rajonal. Por, jo çdokush e pranon rolin në rritje të Turqisë në rajon, i cili ishte nën pushtetin otoman për pesë shekuj. Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë se Ankaraja arrin me një bagazh shumë të madh historik dhe po angazhohet ekskluzivisht për interesat e myslimanëve të Bosnjës. Këtë konstatim, diplomatët e Turqisë e hedhin poshtë./ Evropa e Lirë/