Shndërrimi i LVV në parti konkuruese për pushtet do të mund të quhej i ndershëm dhe i njerëzishëm vetëm nëse do të bëhej çiltërisht, ndershmërisht dhe posaçërisht pa prapaskena djallëzore. Poashtu, funksionarët e kësaj partie do të duhej të kërkonin botërisht të falur për premtimet e rrejshme të kohës sa ishin të rinj. Spekulim i paskrupullt i këtij metamorfizimi dhe pervertimi, ishte edhe deklamimi i një debati të paqenë brenda instancave të ish LVV
Nga Salih Mehmeti*
Një prej shfaqjeve më finoke të luftës aventuriere të zhvatjes së pushtetit, medoemos do të jetë 12 Qershori i këtij viti, dita kur Lëvizja “Vetëvendosje” i dha fund botërisht identitetit dhe filozofisë së saj rezistuese me ç’rast ngriti velat për lundrim në detërat e tallazitura t’politikës. Mbase në dukje s’duket të ketë gjë që të tingëllojë absurde, ama ata [drejtuesit e LVV] duhet të bëhen të ditur, aq sa kurrë të mos thonë kurrë, përderisa syri i pangopur i tyre lakmon politikën, lartësitë eterike të saj dhe pozicionimin e privilegjuar. Të shumtë qenë ata që u pezmatuan rëndë nga ndërhyrja barbare e skuadroneve speciale të SHPK-së ndaj ish-aktivistëve të kësaj lëvizjeje që dikur predikonte vetëvendosje. Më shumë sesa reagimi prepotent policor, do të duhej të ngjallte krupë dhe pezm pikërisht metamorfoza e pashpjegueshme e LVV në parti politike. Kjo ngjau edhe përkundër mijëra përbetimeve e zotimeve thuajse religjioze të drejtuesve të LVV se kurrën e kurrës nuk do bëhen pjesë e nomenklaturës aktuale të pushtetit sepse “pjesëmarrja në një sistem të padrejtë të bën përmbajtje të tij” po të përdorim ndonjë xhevahir nga ligjërimet e dikurshme të tyre. Pas shpalljes së pseudo-pavarësisë së 17 shkurtit, drejtuesit e LVV i binin avazit se “17 shkurti solli ndryshime veç simbolike, ndaj dhe LVV do të ndryshonte veç simbolikisht” pra do të vazhdonte aktivitetin e saj jashtë-institucional me demek për të sjellë “ndryshime radikale”. Me 12 qershor u etablua si mos më mirë fakti, që alamet ndryshimesh radikale ngjasuan brenda kësaj biçim lëvizjeje dhe jo në sferën ku do të duhej të ndodhnin. Na ishte njëherë një lëvizje Prej 12 qershorit e tutje, ngjyra e bardhë që shquante shpirtin e pakorruptuar e të dëlirë të rinisë së këtij organizimi, do të bëhet flamur i bardhë i dorëzimit dhe kapitullimit të një partie që shpërdoron papërgjegjshëm terma sublim siç është vetëvendosja politike e shqiptarëve. Pa kurrfarë hileje mund të themi që ndërhyrja policore kundër kësaj partie rioshe ishte një skenar i mirëmenduar me përpikmëri aritmetike e atyre që e duan këtë lëvizje brenda caqeve institucionale, vend ku do të bëhet dështimi epik i kësaj partie; ku më pas në epitafin e varrit të së saj do të shkruhet “Bretkosa që desh të fryhet sa një ka” e La Fontenit. Reagimi policor krijoi mbresën e lajthitur se gjoja struktura aktuale politike lebetitet nga hyrja e këtij “tigri” të ri. Të tjerëve u është tekë me thanë se LVV ka qenë një ngjyrë e re e domosdoshme për me e zhdavaritë dyngjyrëshin e mërzitshëm të skenës politike. Është për t’u shënuar fakti që opinioni publik u ndodh në një zgrip çorientimi meqë nuk kërkoi përgjegjësi për standardet e dyfishta dhe makinacionet perfide që heq kjo parti rioshe, që dikur bënte sikur kërkonte vetëvendosje. Në këtë rast, problemi merr thellësira mistifikimi aq sa kërkon përqendrim për ta çpleksur e thjeshtëzuar. Autoritetet e huaja vendim-marrëse e dinë boll mirë ku pikon çatia: secila parti aktuale që ka qenë protagoniste e skemave, realizimeve dhe makinacioneve të huaja është konsumuar në njëfarë mënyre. Halli i konsumimit të partive politike diktoi nevojën për të bërë katapultimin e një force të re politike ekskluzivisht të pakonsumuar. Duke përvijuar këtë vijë deshifrimi mund t’zbardhet njëfarë dore rebusi i vegullt i deklarimit të ambasadorit amerikan për Kosovën, Christofer Dell kur në fillim të këtij viti parashtroi nevojën e krijimit të një partie të re politike, për aq kohë sa partitë e tanishme i ngjajnë njëra tjetrës si veja vesë. Aluzioni i Dellit parabolon pikërisht në 12 qershorin e këtij viti, dita kur LVV vesh zyrtarisht uniformën e konkurentës për pushtet. Trumbetuesi më i shquar i kësaj metamorfoze, njeriu sozi që pretendon të jetë Albin Kurti, performoi me një lojë të zhdërvjelltë e inventive fjalësh duke thënë se megjithëse do të konkurojë në zgjedhje, nuk do të bëhen parti politike. Kjo thjeshtë është Ali Hoxha - Hoxhë Alia. Nëse soziu që pretendon të jetë Albin Kurti mëton kokrrat e elektoratit në zgjedhjet e ardhshme, atëherë i ka rënë shiu n’kallamoç falë ndërhyrjes së 12’tit. Demagogët e kësaj partie do ta përdorin këtë ndërhyrje gjatë kohë për të sajuar një “viktimizim” të partisë dhe konceptit të saj; rrjedhimisht me anë të kësaj mëtojnë të zhvatin hajdutçe një bereqet të mirë kokrrash të quajtura “vota”. Metamorfizimi i LVV në parti politike jep megjithatë njëfarë ndihmese për parathënien e vijave të përgjithshme dhe skenarëve të mundshëm që do të luhen këto vite. Hyrja e LVV në strukturat e nëndheshme të politikës do të bëjë një lloj legjitimimi të status-quo-së së tanishme me ç’rast skena politike fiton mbijetesë dhe shëndet edhe për nja të paktën dhjetë vite të tjera. Paradigma funksionale e sistemit të këtushëm politik mbështetet në një pluralitet elitash pakicë. Ç’do me thanë kjo? Pluralitet i pakicave elitare nënkupton performim parlamentar e qeveritar elitash pakicë që pretendojnë se përfaqësojnë ‘shumica’. Qendrat vendim-marrëse ndërkombëtare s’janë aq të trasha sa të mos e dinë që një pjesë dërrmuese e qytetarëve të Kosovës si pasojë e margjinalizimit të tyre kanë bojkotuar pashkëputur sistemin politik, e shprehur kjo në bojkotim dhe mos-pjesmarrje në zgjedhje dhe mosbesim të vazhdueshëm ndaj politikanëve biznesmen e partive mafioze. Për ta evituar shfaqjen e asaj që quhet Anti-Politikë e qytetarëve që rrit amplitudat e gjasave për mbështetje ndaj prirjeve anti-sistem, qendrat e huaja e shohin të domosdoshëm aktivizimin politik të një elite të pakënaqurish [në këtë rast LVV] që thirret në ‘përfaqësimin’ e të papërfaqësuarve. Me t’u bërë pjesë e ingranazhit pushtetor, elita partiake e strumbulluar rreth sozisë që pretendon të jetë Albin Kurti, do të bëjë filtrimin dhe amortizimin e pikërisht atyre të papërfaqësuarëve që “përfaqësohen”, nga ku më pas do të fillojë një gjueti shtrigash për ata të mallkuar të kësaj dynjaje që quhen “political uncorrect’. Fast and Furious E mundshme është që EULEX-i të arrestojë edhe ca peshq të vegjël korrupsioni për të kursyer peshkaqenët e mëdhenj. Kursimi i këtyre peshkaqenëve do të këmbehet me blerjen e dëgjueshmërisë së tyre politike veçmas kur pas vendimit të GJND-së do të fillojnë negociatat “teknike” që do përfundojnë apriori në dëm të Kosovës. Është shumëçkathënës “lirimi” i sozisë që pretendon të jetë Albin Kurti nga EULEX-i. S’pari dëshmon që opurtuniteti dhe korrektësia gjithnjë e më e madhe e tij u shpërblye me “mbylljen” e dosjes së tij politike. S’dyti, “lirimi” i sozisë që pretendon të jetë Albin Kurti është i njëvlershëm me burgosjen faktike të tij; diçka e njësojtë me atë të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt [e shumë të tjerëve] që u liruan prej grilave të burgjeve ordinere për të hyrë në grilat e padukshme të politikës. Funksionarët e kësaj partie rioshe kanë pohuar shpeshherë të jenë mbledhur më shumë se 175 mijë nënshkrime në mbrojtje të Albin Kurtit, ndërkaq sozia që pretendon të jetë Albin Kurti e ka blerë vrimën e miut për treqind grosh. Do të jetë për mbamendje rasti kur i ‘imunizuari’ i 175 mijë nënshkrimeve nuk guxoi të përballej me policët që denjonin ta arrestonin. Përndryshe, derisa kordoni me trupa aktivistësh të rinj po platitej nga grushtet e shkopinjtë e policisë, vetura ku ndodhej soziu që pretendon të jetë Albin Kurti, iku me një shpejtësi të tërbuar sikur të kishte dalë nga sagat kinematografike ‘Fast and Furious’ ose ‘Taxi’. Ky s’është Albin Kurti që njohim ne!? Djemtë e Rrugës Pal Shndërrimi i LVV në parti konkuruese për pushtet do të mund të quhej i ndershëm dhe i njerëzishëm vetëm nëse do të bëhej çiltërisht, ndershmërisht dhe posaçërisht pa prapaskena djallëzore. Poashtu, funksionarët e kësaj partie do të duhej të kërkonin botërisht të falur për premtimet e rrejshme të kohës sa ishin të rinj. Spekulim i paskrupullt i këtij metamorfizimi dhe pervertimi, ishte edhe deklamimi i një debati të paqenë brenda instancave të ish LVV. E para e punës, termat “debat”dhe “instanca” janë barabartësisht të pasaktë ngaqë: - LVV nuk e ka pasur atë kapacitet numerik që të ketë instanca sepse numri i aktivistëve zor të ketë kaluar 40 frymë gjatë kohës së metamorfizimit në parti. -Debati s’është mbajtë ndonjëherë për arsyen e thjeshtë se s’ka pasur me kë të bëhet. Byroja Qendrore (për këtë do të flasim më poshtë) ka qenë grushtëbashkuar dhe e njëzëshme pro metamorfozës në parti politike. Kësisoj, aktivistët janë gjetur në një një situatë para aktit të kryer. S’mund të thuhet me përpikmëri nëse metamorfoza bëri të metamorfizuarit apo të metamorfizuarit bënë metamorfozën, por në rastin në fjalë Byroja Qendrore e Lëvizjes për ta mënjanuar rrezikun e një kryengritjeje brenda rradhëve të saj, nuk u deklarua drejtëpërdrejtë për qëllimin për shkak se ai binte ndesh polarisht me vlerat e proklamuara të aktvistëve. Krijimi i të ashtuquajturëve ‘komitete’ e ‘sekretariate’ u shestua si një fazë kalimtare gjatë së cilës u shënuan hapa thelbësor në evoluimin e shpejtë në parti politike. Rishtas që të dy termat e naltcekun janë sajesa formale për të mbitheksuar kapacitete të paqena. Në të vërtetë, komiteti nënkupton një grupim ekspertësh e profesionistësh të një lëmi të caktuar që është i nënrenditur brenda një agjencie qeveritare apo strukture vendimarrëse. Me nder me thanë, komitetet e kësaj partie rishtare s’numërojnë më shumë se një ose dy vetë. Tërë kjo farë maskarade hedh paralele të nduarnduarshme me çapkëllëqe kalamajsh nga ‘Djemtë e rrugës Pal’ të hungarezit Ferenc Molnar ku përshkruhet jeta e fëmijëve në Budapestin e urbanizuar, lojërat e tyre me krjimin e “ushtrive”, sajimin e ‘përgjegjësive’ e ‘detyrave’ prej Shtabit të Përgjitshëm, kryekomandantit, ndihmësit të tij, nënkomandantit, sekretarët, ndihmësit e tyre, përgjegjës për çdo lloj detyre hierarkike, përgjegjës për financa, oficerë të çdo grade përveç një fëmije të vetëm i cili ishte i dënuar të luante ‘ushtarin’ dhe ta kuptimësonte tërë atë hierarki prej hiçgjëje. Instalimi prej çapkënësh i një dimensioni të këtillë burokratik edhe brenda LVV bëri që fryma e aktivizmit të asgjësohej ndërkaq numri i aktvistëve të mpakej si mosmëkeq. Burokratizimi gjoja meritokratik cyti një valë prirjesh hirearkizuese nga ku çdo gjë u burokratizua simbas një hullie “uniteti” e uniformiteti mendimesh e veprimesh. Për habi kjo nuk e pengoi Glauk Konjufcën që me 10 qershor në emisionin ‘Interaktiv’ në KTV të proklamojë “debatin” brenda LVV. Mirëpo ky burokrat fillestar duhet të jetë në dijeni të mjerimit në të cilin është katandisur lëvizja e dikurshme: nga 15 mijë aktivistë, antarë e simpatizues, tani kanë fundërruar zor më shumë se 40 vetë. Nësë konvertohet në përqindje kjo shifër në raport me numrin maksimal të që kanë qarkulluar brenda këtyre pesë viteve në LVV, atëherë del se partia është sajuar në “vullnetin” e 0, 02% të “aktivistëve”. Balzaku thoshte se ‘burokracia është një mekanizëm gjigand i drejtuar nga xhuxhmaxhuxhë’. Mekanizmi gjigand burokratik i krijuar nga Byroja e LVV nuk kishte krahë të mjaftueshëm pune për ta vënë në lëvizje atë. Prandaj për ta kompensuar këtë mungesë krahu, në të famshmin ‘Statut’ të tyre stipuluan se anëtar/e në lëvizje (dmth parti) mund të jetë çdo kush i/e cila “ka mbushur 16 vjeç”. Me këta rekrutë nga mbarimi i shkollave fillore, Byroja mban shpresë që këtë mekanizëm gjigand ta mbajë gjallë derisa të armatoset me një trohë pushtet dhe fonde monetare. Pas konsumimit të tyre fizik e mendor, makina do t’i zëvendësojë me fluksin e ‘vullnetarëve’ të të gjitha llojeve: gjuetarë të thesareve monetare, politikanë që deri më sot kanë qenë të shpërfillur, të mënjanuar ose të dështuar, ojqëist ambicioz, hakmarrës, avanturierë etj. Mbase fundi kaq i palavdishëm i LVV është i njësojtë me atë te ‘Ferma e Kafshëve’ e George Oruellit ku “të gjitha kafshët janë të barabarta përveç disave [derrave] që janë më të barabarta së të tjerët’. Për m’i dhanë një porosi që ata do të duhej ta merrnin seriozisht, pëlqej të citoj “The Good, the Bad and the Ugly”: “I like big fat men like you. Ëhen they fall they make more noise”. (Më pëlqejnë burrat e mëdhenj e të trashë si ju. Kur rrëzohen bëjnë më shumë rrapëllimë). Që të jetë kjo zhurmë tamam rrëkëllyese, u lutemi atyre që t’i mbërrin lartësite eterike të pushtetit dhe gjatë kësaj kohe mundësisht të dhjamosen sa më shumë. Në mënyrë që rrëzimi dhe zhurma të jenë fenomenale. TO BE CONTINUED… (*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale