Withers Dhuron 500 Tituj Librash Për Bibliotekën Kombëtare
- Pjesë e koleksionit të Ambasadorit Amerikan në Shqipëri, John Withers-
TIRANË, 13 Korrik/ ATSH- Suada Daci/- Rreth 500 tituj librash dhe një seri videokasetash dhe DVD-ish të kulturës amerikane, pjesë e koleksionit të Ambasadorit të SHBA-së, në Tiranë, John Withers j'u dhuruan sot Bibliotekës Kombëtare, në një ceremoni të organizuar në mjediset e Dhomës Amerikane në këtë Bibliotekë.
"Bibliotekat janë vende të shenjta, librat janë si lutje dhe një libër është një mjeti që komunikon përgjatë historisë. libri shërben si mjeti që përçon urtësinë e shekujve dhe na përçon ne shpirtin, njohurinë, urtësinë e një kohe shumë të vjetër, pra me anë të tij ne jemi në komunikim me këto kohë të shkuara", u shpreh Ambasadori Withers gjatë ceremonisë së dhurimit.
Duke e cilësuar këtë aktivitet si një nga më të rëndësishmit gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ambasadori Withers vlerësoi se, librat i japin jetëgjatësi qytetërimit që ne gëzojmë në jetën tonë, duke mos na lejuar të rimësojmë gjërat nga e para çdo herë.
"SHBA do të ndihmojë financiarisht për organizmin e një konference shkencore që do të mbahet nga Biblioteka Kombëtare në shtator, ku një ftesë i është drejtuar gjithashtu edhe drejtorit të Bibliotekës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe ne shpresojmë që ai të ketë mundësinë të vijë", u shpreh Withers, duke i dhuruar Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari dy vëllime të Enciklopedisë së historisë së mendimit kulturor dhe intelektual të SHBA-së.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj falendroi ambasadorin Withers për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë institucionve të artit dhe kulturës në Shqipëri.
Në shenjë falenderimi, Xhaferraj i dhuroi ambasadorit amerikan, John Withers librin "Statutet e Drishtit", fituesen e çmimit "Lumo Skëndo" për vitin 2010.
Përveç enciklopedisë amerikane pjesë e koleksionit të ambasadorit Withers ishin edhe libra historikë, komikë, me figura, libra për mësimin e gjuhës angleze, etj.
Në fund të ceremonisë ku ishin të pranishëm akademikë, ambasadorë, specialistë të Bibilotekës Kombëtare, Drejtori i saj, Aurel Plasari i dhuroi ambasadorit John Withers një nga karikaturat e gazetës së shqiptarëve të Amerikës, "Dielli"./n.m/