English

Zbulohet banda shqiptare, grabit në Greqi, investon ndërtime në Shqipëri

Athinë, 13 Korrik 2010 NOA – Policia greke ka arritur të identifikojë një bandë shqiptare që kryente grabitje në mënyrë sistematike dhe duke arritur të mbledhë të paktën 1.2 milionë euro, sikundër kanë pohuar të arrestuarit, i kanë investuar ato në Shqipëri duke kryer ndërtime lokalesh, pallatesh dhe objekte të tjera.

Korrespondenti i agjencisë NOA në Athinë, citon burime zyrtare nga Policia e Athinës që konfirmojnë sot arrestimin e katër shtetasve shqiptarë, emigrantë të rregullt prej vitesh në Greqi.

Të dyshuarit, janë identifikuar si ideues dhe ekzekutues të një seriali plaçkitjesh në supermarketet e kryeqytetit Athinë.

Të dyshuarit kanë konfirmuar 26 grabitje duke pranuar se kanë arritur të mbledhin në total 1.2 milionë euro, por nuk i posedojnë ato pasi i kanë investuar duke ndërtuar në Shqipëri.

Të dyshuarit kanë treguar se shuma më e vogël që kanë fituar duke grabitur kasat e supermarketeve ka qenë 10 mijë euro dhe shuma më e madhe ka qenë deri rreth 100 mijë euro.

“Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit në Shqipëri, Policia e Athinës është duke punuar për të lokalizuar këto prona të ndërtuara mbi bazën e aktivitetit kriminal dhe bazuar në ligjin e njehsuar shqiptar, do të bëhet sekuestro konservative mbi to”, - deklaruan burime zyrtare nga Policia e Greqisë. Ajo shtoi se do të bëhet verifikim edhe i llogarive bankare në Shqipëri të katër shqiptarëve të arrestuar”.

n.s/NOA

KOMENTE