Tiranë, 13 Korrik, NOA – Dy partitë kryesore në vend, duket se iu janë rikthyer negociatave të përbashkëta mes tyre me qëllim zgjidhjen e krizës politike në vend.
Kështu, burimet pranë tyre konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se pritet që të zhvillohet një tryezë bisedimesh mes dy krerëve respektivë të grupeve parlamentare të, Astrit Patozi për demokratët dhe Gramoz Ruçi për socialistët, ku do të rimerret në shqyrtim çështja e nxehtë e krizës politike në vend.
Kjo e fundit për më shumë se një vit qarkullon si kryefjalë e zhvillimeve politike, duke krijuar edhe momente të vështira siç ishte ajo e protestave maratonë të opozitës dhe ndërmarrjen e masës ekstreme prej saj, grevën e urisë që zgjati për mëse 20 ditë.
E megjithë ndërhyrjet e faktorit ndërkombëtar, duke realizuar një takim pune të përbashkët mes Ramës dhe Berishës në Strasburg, u duk se kriza nuk ishte edhe aq e lehtë për t’u zgjidhur.
Në të tilla kushte, selia blu dhe ajo rozë, kanë menduar që të rivendosin sërish një pikënisje dialogu për të parë mundësitë që ekzistojnë ende mbi zgjidhjen e krizës politike në vend.
Kjo edhe pasi Parlamenti Evropian ka miratuar para pak ditësh një rezolutë për Shqipërinë, e cila rekomandon dialogun mes palëve, në të mirë të ecurisë së procesit të integrimit të saj evropian.
n.e/NOA