English

Albtelecom rrit 8 herë kapacitetin e fibrës optike me Italinë

Tiranë, 14 Korrik 2010 NOA/ Eglantina Nasi - I pyetur nga gazetarët lidhur me një iniciativë private publikuar sot në Tiranë - lidhur me shtrimin e një kabulli për shtimin e internetit -, Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, Sevket Acar evidentoi faktin se “Albtelecom-i zotëron tashmë një linjë fibër optike që lidh Italinë me Shqipërinë e cila zotërohet në bashkëpronësi nga kompania jonë dhe Telecom Italia e cila është nja nga kompanitë lider në fushën e telekomunikacionit në botë”.

Z. Acar sqaron se kapaciteti aktual i kësaj linje është 2500 Megabit. Me anë të kësaj linje, ne ofrojmë shërbimet voice dhe internetit jo vetëm për Shqipërinë, por mundësojmë edhe lidhjen e Kosovës me Italinë.

“Në një kohë kur ky kapacitet ende nuk është përdorur 100 për qind, ne po punojmë me Telecom Italia-n për të rritur më tej kapacitetet pasi parashikojmë kërkesë të madhe për përdorimin e internetit në Shqipëri”, - tha z.Acar.

Ai pohoi se “ne mendojmë të hapim Shqipërinë drejt botës nëpërmjet internetit dhe e kemi shpallur vitin 2011 si vit të internetit për vendin tonë” dhe shtoi: “Në një kohë shumë të shkurtër, kapaciteti i linjës me Italinë do të rritet në 20000 Megabit dhe kjo do të thotë një rritje prej 800 për qind ose 8 herë më shumë”.

Duke folur për investimet e kompanisë më të madhe të telefonisë së palëvizshme në vend, z.Acar tha se “me investimet e kryera nga Albtelecom, Shqipëria është pikë transiti për Ballkanin dhe Evropën juglindore në fushën e telekomunikacionit” dhe theksoi se “kjo do ta rrisë edhe më tej rëndësinë e Shqipërisë dhe ne kemi kryer të gjitha përgatitjet në këtë drejtim”.

“Mund t’ju them së jemi plotësisht gati t’u japim përgjigje rritjes së kërkesës nga konsumatorët vendas dhe rajonalë”, - evidentoi z.Acar.

Ai theksoi edhe se “me rrjetin e fibrës optike që ne kemi aktualisht me të gjitha vendet fqinje, mund të sigurojmë lidhje mes Tiranës dhe çdo vendi tjetër në Evropë dhe botë”.

“Për më tepër, - shtoi Drejtori i Përgjithshëm, “së shpejti Albtelecom finalizon projektin për ndërtimin e centralit të parë të internetit (Internet Exchange) në Ballkan dhe më pas interneti dhe e-maili do të jenë shumë më të shpejtë për trafikun kombëtar të përdoruesve”.

Mbi të gjitha, - deklaroi z.Acar, - ne po punojmë për të ndërtuar një Qendër të Dhënash (Data Center) në Tiranë dhe në këtë mënyrë do të sigurojmë shërbim për bizneset në Shqipëri dhe vendet e rajonit.

Kurse duke përfunduar, z. Acar tha: “Ne mendojmë se investimet alternative në këtë drejtim nuk do të sjellin asgjë të re ndërkohë që Albtelecom prej vitesh ka ofruar këto shërbime në kualitet të lartë për konsumatorin shqiptar dhe po përmirëson në vazhdimësi cilësinë duke rritur kapacitetin më shumë se tetë herë”.

r.l/r.n/NOA

KOMENTE