English

Ambasada e Kosovës në Tiranë, shteti shqiptar i fal një pronë të tij

Tiranë, 14 Korrik, NOA – Shqipëria fal për herë të parë një nga pronat e saj, me vendim qeverie ndaj një shteti tjetër, i cili në rastin konkret është ai i Kosovës.

Bëhet fjalë për vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, sipas të cilit vendi ynë i kalon në pronësi, pa shpërblim Republikës së Kosovës një truall dhe ndërtesë, konkretisht vilën nr.6, te rruga “Donika Kastrioti” në kryeqytet.

Propozimi për këtë dhuratë ndaj shtetit më të ri të Evropës është bërë nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

“Qeveria vendos kalimin në pronësi, pa shpërblim, Republikës së Kosovës, të pronës së lartpërmendur sipas çertifikatës së pronësisë dhe plan-vendosjes, që i bashkëlidhen këtij vendimi”, thuhet në vendimin përkatës.

Duke saktësuar se kalimi i pronësisë bëhet për selinë e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Kosovës në Tiranë, sipas dispozitave të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.

“Ngarkohen ministria e Punëve të Jashtme dhe Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik për zbatimin e këtij vendimi”, përfundon vendimi i qeverisë.

n.e/NOA

KOMENTE