Ambasada Franceze, Ceremoni Për Festën Kombëtare Të Francës
TIRANË, 14 Korrik/ ATSH-Suada Daci/.- 14 korriku, festa kombëtare e Francës, që konsiderohet si një nga evenimentet më të rëndësishme për popullin francez, u përkujtua të mërkurën me një ceremoni nga ambasada franceze në Tiranë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm personalitete të larta të politikës shqiptare, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë.
Duke falënderuar pjesëmarrësit Ambasadorja franceze, Maryse Daviet, u shpreh se "kjo festë i bashkon të gjithë francezët, qoftë ata të lindur dhe të bërë francezë".
Sipas saj, "përmes simboleve të identitetit kombëtar, flamurit blu, bardh e kuq, motos: liri, barazi, vëllazëri si dhe laicitetit, u bë e mundur që të gjithë francezët të jetojnë së bashku, qofshin ata ateistë, myslimanë, katolikë, hebrej, etj".
"Ndryshimet kudo në botë na kanë imponuar ne europianëve, përfshi edhe shqiptarët, të jemi më rigorozë dhe solidarë", tha Ambasadorja franceze Marsye Daviet, duke shtuar se "çdo vend duhet të mbështet tek qytetarët e tij, tek bashkësia kombëtare, tek solidariteti i të gjithëve".
14 Korriku, qe shënon festën kombëtare të Francës, simbolizon triumfin e Revolucionit Francez mbi monarkinë dhe lidhet me marrjen e kështjellës së Bastijes. 14 korriku i vitit 1789 festohet me entuziazëm të madh nga francezët, të cilët organizojnë që në datën 13 korrik spektakle dhe ballo popullore, duke vazhduar në datë 14 korrik me paradën ushtarake tradicionale në prani të Presidentit të Republikës .
Kjo ditë e shënuar për popullin francez u vendos të përkujtohet në vitin 1880./s.s./