English

Berisha ndryshon zëdhënëse, ikën Juela Meçani, vjen Erla Mëhilli

Burimet nga Qeveria bënë të ditur për agjencinë NOA se Juela Meçani largohet nga detyra e zëdhënëses, por një detyrë tjetër të rëndësishme pritet që ajo të marrë në muajin shtator

Tiranë, 15 Korrik 2010 NOA/ Eglantina Nasi – Juela Meçani nuk do të jetë më zëdhënëse e Kryeministrit të Shqipërisë. Lajmi konfirmohet për agjencinë NOA nga burime zyrtare në kabinetin qeveritar.

Duke nisur nga dita e sotme 15 korrik 2010, zëdhënëse e Kryeministrit Sali Berisha do të jetë Erla Mëhilli, deri dje, zëdhënëse e Partisë Demokratike dhe më herët, zëdhënëse e Ministrisë së Transporteve.

Burimet nga qeveria bënë të ditur për agjencinë NOA se Juela Meçani largohet nga detyra e zëdhënëses, por një detyrë tjetër të rëndësishme pritet që ajo të marrë në muajin shtator.

Juela Meçani, e zgjedhur si Miss Fotozhenia në spektaklin Miss Albania 1994, ishte në Itali familjarisht kur u tërhoq nga kryeministri Berisha që i kërkoi të ishte ajo imazhi i shefit të Qeverisë.

Për mbi tre vjet, Juela Meçani ishte zëdhënëse e Kryeministrit, një detyrë kjo goxha e vështirë, nisur nga intensiteti shumë i lartë i axhendës së përditshme të Berishës.

Si Meçani dhe Mëhilli, u zgjodhën në mbledhjen e 19 dhjetorit të kaluar, anëtare të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

r.n/NOA

KOMENTE