Bode: Do Vazhdojmë Bashkëpunimin Me Fmn, Nuk Rrisim Taksat
TIRANE, 14 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ministri i Financave, Bode duke konfirmuar se ekonomia po i rikthehet ritmeve të rritjes në kuadrin e presioneve të krizës globale, bëri të ditur sot se në kuadër të ndërhyrjeve të qeverisë për të kontribuar stabilitetin makroekonomik, nuk do të rriten taksat.
"Nuk mendoj se Shqipëria do të vijë një ditë të rrisë taksat për të stabilizuar treguesit makroekonomik. Sfida e ekonomisë është si të rrisë investimet", tha ai.
Në konferencen e perbashket me perfaqësuesin e misionit të FMN, Bell dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Fullani, ministri Bode tha se "bashkëpunimi me misionin e FMN-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen".
"Fondi Monetar Ndërkombëtar ka luajtur rol të rëndësishëm në stabilitetin e treguesve makroekonomik të vendit ndaj dhe ne do vazhdojmë bashkëpunimin me FMN për të përfituar maksimalisht në të mirë të ekonomisë së vendit", deklaroi ministri Bode përkrah përfaqësuesit të misionit të FMN-së, Gerwin Bell dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në një konferencë të përbashkët për median.
Bode konfirmoi se ekonomia shqiptare po i rikthehet ritmeve të rritjes në kuadrin e presioneve të krizës globale.
"Pas përdorimit të stimujve fiskalë për të mos lejuar rënien e ekonomisë shqiptare në kushtet e krizës ndërkombëtare, kostatojmë se gjatë kësaj periudhe ka një rritje të vëllimit të eksporteve, përmirësim të bilancit tregtar, përmirësim të investimeve direkte, rritje me 12% të depozitave dhe rritje të kreditimit privat", deklaroi ministri Bode.
Sipas tij, "këto janë disa shenja pozitive, që nxitën qeverinë shqiptare të ndërmarrë një program për rritjen e mirëqënies në vend, që kosiston në shkurtimin e shpenzimeve publike në disa prej aktiviteteve të qeverisë dhe duke mbajtur kërkesën konsumatore, përmes rritjes së pagave e pensioneve". Kjo politikë e ndërmarrë, evidentoi Bode, në kohën e duhur do të mbështesë rritjen e ekonomisë reale në Shqipëri.
Shefi i financave sqaroi se në kuadër të ndërhyrjeve të qeverisë për të kontribuar stabilitetin makroekonomik, nuk do të rriten taksat. "Nuk mendoj se Shqipëria do të vijë një ditë të rrisë taksat për të stabilizuar treguesit makroekonomik. Sfida e ekonomisë është si të rrisë investimet", tha Bode./n.m/