Civici: Arsimi I Lartë Sa Më Konkurrencial
TIRANË, 14 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- Sektori i Arsimit të Lartë duhet të zhvillohet me parimin e barazisë ndërmjet dy sistemeve, atij publik dhe privat, tha në një intervistë për ATSH-në, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Ass. Dr.Adrian Civici, njëherësh edhe Nënkryetar i Konferencës së Rektorëve.
Duke analizuar ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë të vitit 2007, Civici, gjykon se "ndryshimet dhe shtesat e propozuara për ligjin 9741 "Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë", janë të rëndësishme dhe ardhur në kohën e duhur, po t'i referohemi problematikës aktuale dhe perspektivës së zhvillimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri".
Sipas tij, ndryshimet dhe plotësimet që pritet të miratohen në Kuvend, kanë të bëjnë me riorganizimin e departamenteve, organizimin e fakulteteve të mjekësisë dhe stomatologjisë, përmirësimin e funksionimit të mjaft strukturave drejtuese të universiteteve, përcaktimin më thjesht dhe më afër kërkesave të "Kartës së Bolonjës", lehtësimin e procedurave të hapjes apo mbylljes së programeve të studimeve në të gjitha ciklet, etj.
Ndryshimet e Ligjit të Arsimit të Lartë kanë muaj që po diskutohen në mjediset universitare shqiptare, ku drejtuesit e universiteteve publike dhe private janë njohur me disa variante draft të ndryshimeve aktuale.
Në këtë projekt-ligj, tha Civici, gjejnë pasqyrim mjaft nga kërkesat apo propozimet e rektorateve dhe strukturave të tjera drejtuese e përfaqësuese të universitete shqiptare, "ashtu siç mund të ketë akoma ndonjë çështje që mund të shtohet e plotësohet gjatë miratimit në Kuvend".
Për sistemin universitar publik ose privat, Civici theksoi se, "është mjaft e nevojshme për fillimin e vitit të ri akademik që të kalojë reforma e sistemit të diplomave, kurse ato elementë të ndryshimeve apo problematikave të tjerë, që lidhen me autonominë universitare të sistemit publik, ndoshta do të rrinin më mirë nesër në kuadrin e ndryshimeve të plota, në një kohë të dytë, duke shkuar me ndryshimet e pritshme të sistemit të financimit të arsimit të lartë në Shqipëri".
Në lidhje me ndryshimet në sistemin aktual të diplomave, Civici argumentoi se aplikimi i "Kartës së Bolonjës" kërkon kohën e njësimit të interpretimeve mbi sistemin e krediteve, diplomave, ciklet e studimit, etj. Në këtë kuptim, Civici mendon se edhe në Shqipëri, me gjithë vullnetin e plotë politik e akademik për zbatimin e "Kartës së Bolonjës", "ne u përpoqëm jo gjithmonë me konsensusin dhe efiçencën e duhur që t'a modifikonim në mënyrë të qëndrueshme".
Sipas tij, debatet u bënë për kohëzgjatjen në vite dhe numrin e krediteve për ciklet e studimit, titullimin e diplomave, zhvendosjen në cikle të ndryshme të masterave, duke mos qenë shumë të qartë në diferencat, filozofinë dhe objektivat e tyre.
Nga ana tjetër, meqenëse pothuajse të gjithë universitetet europiane u përfshinë në këtë cikël ndryshimesh, secili me specifikat dhe objektivat e tij, në Europë u krijua një mozaik shembujsh e eksperiencash.
"Ne aplikuam forma jo fort të qëndrueshme dhe në koherencë me njëra-tjetrën", vlerësoi Civici. "Kjo është dhe arsyeja kryesore, se përse erdhëm tek këto ndryshime në sistemin e diplomave dhe përmbajtjen e cikleve të studimeve, që janë shumë afër me formatin standard e dominues europian, të thjeshta e të njehsueshme në nivel ndërkombëtar, etj", tha ai.
Në lidhje me kërkesën e universiteteve publike për një autonomi sa më të gjerë e substanciale, Civici cilësoi se, "është më se e drejtë dhe një faktor që ndikon dukshëm në performancën dhe menaxhimin e tyre. Duhet bërë gjithçka që është e mundur për t'i dhënë një dimension real autonomisë së universiteteve publike, aq më tepër që kjo është një temë tashmë mjaft e debatuar dhe nuk duhet të vazhdojmë të humbasim kohë e të hezitojmë për ta realizuar".
Niveli i autonomisë financiare të universiteteve publike, sipas Civicit, është ende e brishtë dhe e limituar, ndaj ka ardhur koha që universitetet publike të menaxhohen përmes mekanizmash bashkëkohorë duke futur në to mekanizmat e tregut, të cilat e kanë provuar epërsinë e tyre në të gjithë sektorët dhe po ashtu, edhe në sistemet universitare më të avancuara në botë.
Ai tha se kërkesa jonë si universitete jo-publike shkon veç të tjerave në favor të çdo ndryshimi që e bën sektorin e Arsimit të Lartë sa më konkurrencial, që shkon drejt parimit të barazisë ndërmjet dy sistemeve të Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Sipas tij, nevojitet vendosja në kushte të barabarta e të gjithë universiteteve shqiptare, publike ose jo-publike, vetëm në raport me standardet cilësore dhe zbatimin rigoroz si të kërkesave të ligjit të Arsimit të Lartë dhe të Kartës së Bolonjës.
Civici vuri në dukje kujdesin që duhet treguar në trajtimin e vlerësimit të universiteteve si pasuri publike apo si të mira publike me interes të lartë kombëtar, pa i diferencuar ato thjesht nga forma e pronësisë apo financimit.
Por Civici gjykon se për përmirësimin e sistemit të arsimit të lartë, ka nevojë të ndërhyet për realizmin e reformës së financimit dhe procesin e renditjes së universiteteve mbi bazën e standardeve të pranuara e zbatuara gjerësisht nga universitete e vendeve të tjera.
"Ka ardhur koha të largohemi nga qëndrimet me këndvështrime pjesore për mundësitë e e financimit të universiteteve", u shpreh Civici, duke e cilësuar të nevojëshme edhe klasifikimin e universiteteve për nga standardet dhe cilësitë.
Cilësia e studimeve universitare dhe përshtatja maksimale e programeve të studimit e diplomave me kërkesat e tregut të punës, "është rruga e vetme në garën për të thithur sa më shumë studentë, dhe për pasojë sa më shumë financime", përfundon Civici./n.m/