Ekon/ Eurozonë - Eurostat: Prodhimi Industrial Shënon Rritje Me 0.9%
BRUKSEL, 14 korrik /ATSH-ANSA/ - Prodhimi industrial është paraqitur i qëndrueshëm në zonën euro. Sipas Eurostat, instituti evropian i statistikave, në maj prodhimi është rritur me 0.9 për qind. Ndërsa në BE rritja ka qenë me 1 për qind.
Të dhënat, pozitive por jo shumë të larta, konfirmojnë pasigurinë që ende është prezente në frontin e rimëkëmbjes ekonomike. Megjithatë, disa prej vendeve të Eurozonës kanë regjistruar një performancë shumë të mirë. Gjermania ka shënuar një rritje me 2.9 për qind duke u rikonfirmuar si lokomotiva e prodhimit industrial. Edhe Franca është paraqitur mirë, me 1.9 për qind dhe Italia me 1 për qind. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar vetëm 0.6 për qind rritje, më pak se Greqia që regjistroi 0.9 për qind. Ndërsa negativisht vazhdon Spanja, e cila ka shënuar një rënie me 0.3 për qind.
Sektorët që kanë kontribuuar më shumë në rritjen e prodhimit industrial në Eurozonë janë ai i të mallrave të konsumit afatgjatë (+2.4%), ndjekur nga ai i mallrave të investimit (+1.0%) dhe nga ai i mallrave të ndërmjetëm (+0.8%). Edhe prodhimi i energjisë ka shënuar një rritje me 0.6 për qind.
/e.v/