Elbasan: Perplasen Dy Mjete, Aksidentohen Gjashte Shtetas
ELBASAN, 14 Korrik /ATSH- Miranda Sadiku/ .- Një aksident me pasojë plagosjen e gjashtë shtetasve ka ndodhur në orët e vona të një nate më parë në aksin rrugor Elbasan - Librazhd.
Zëdhënësja e Policisë lokale, Valbona Begu, tha per ATSH-ne se "një mjet tip Fuoristradë me targë EL 3119 C, me drejtues shtetasin Ramazan Tanushi, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një mjet tip Furgon me targa EL 6709 B, me drejtues shtetasin me iniciale Xh.SH, 46 vjeç. Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar shtetasit F.A, 65 vjeç banues në Librazhd, shtetasi RR.H, 62 vjeç, T.M, 55 vjeç, B.Q, 49 vjeç F.A, 62 vjeç si edhe shtetasi E.F, 26 vjeç, që të pestë me banim në Elbasan".
Aktualisht të dëmtuarit ndodhen në spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje kritike për jetën. Mësohet se Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit tip Fuoristradë, Ramazan Tanushi, i cili akuzohet për veprën penale "Shkelje të rregulllave të qarkullimit rrugor". /a.ke/