English

Është zyrtare, më 22 Korrik ora 15.00 Haga vendos për Kosovën

Ju mund ta ndiqni drejtpërdrejt tek NOA, shpalljen e vendimit në Hagë

Tiranë, 14 Korrik 2010 NOA/ Ruben Avxhiu - Tashmë është zyrtare. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta komunikojë vendimin e saj për statusin e Kosovës në orën 3 mbasdite në 22 korrik 2010.

Njoftimi do të jepet Pallatin e Paqes në Hagë në3 një seancë publike të GJND-së, gjatë të cilës, Presidenti i Gjykatës, Gjyqtari Hisashi Owada,do të lexojë me zë të lartë Opinion Këshillues të GJND-së lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga Kosova.

Leximi i vendimit mund të ndiqet edhe drejtpërdrejt nëpërmjet internetit pasi agjencia NOA do të lidhet me linkun zyrtar për ta transmetuar.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian paralajmëron se pas mendimit të Gjykatës, do të ketë disa takime rreth Kosovës dhe se BE-ja do të mbështesë një dialog të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por tash për tash asgjë nuk thuhet zyrtarisht rreth kësaj.

***

Burime zyrtare nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë të saktësojnë se për t’u lexuar mendimi i kësaj Gjykate lidhur me deklaratën e pavarësisë së Kosovës, do të organizohet një dëgjim publik, gjatë të cilit presidenti i Gjykatës, Hishavi Ovada, do të lexojë mendimin për Kosovën.

Dëgjimi do të bëhet në sallën e madhe në pallatin e Drejtësisë në Hagë, në të cilin pritet të jenë të pranishëm edhe pjesëmarrësit, si dhe përfaqësuesit e korit diplomatik.

Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kishte kërkuar Serbia dhe në bazë të kërkesës së Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte kërkuar që GJND-ja të japë mendimin e saj.

Ky mendim, siç dihet, është mendim këshillëdhënës dhe nuk ka fuqinë e një vendimi ligjor.

Shumë shtete i kanë paraqitur argumentet e tyre me shkrim dhe disa edhe në dëgjimet gojore, pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, por pritet që mendimi i Gjykatës të jetë në bazë të të gjitha argumenteve dhe tash për tash nuk mund të paragjykohet.

Megjithatë, shumë diplomatë presin që të jetë një mendim i paanshëm, i cili nuk do të thotë prerazi se a është ose jo shpallja e pavarësisë së Kosovës legale sipas të drejtës ndërkombëtare, komenton radio Evropa e Lirë.

Serbia ka paralajmëruar se pas shpalljes së këtij mendimi do të kërkojë kthimin e çështjes së statusit të Kosovës përsëri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe Serbia do ta bëjë këtë në përpjekje për të rifilluar negociatat për statusin e Kosovës.

Kosova, ndërkaq, sikurse edhe shumë vende që e kanë njohur pavarësinë e saj, e konsiderojnë pavarësinë si të pakthyeshme dhe kundërshtojnë çdo përpjekje për negociata të reja për statusin.

KOMENTE