English

Fajon: BE ka përgjegjësi politike për të mbyllur liberalizimin e vizave në Ballkan

Bruksel, 14 Korrik, NOA – Lëvizja e lirë e njerëzve përmirëson lidhjet, kontaktet mes njerëzve dhe është veçanërisht e rëndësishme për brezat e rinj.

Kështu ka pohuar në një intervistë për “Deutsche Welle” europarlamentarja Tanja Fajon, sipas të cilës, Bashkimi Evropian ka përgjegjësi politike për të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave në Ballkanin Perëndimor.

Zonja Fajon, në projekt-rezolutën që sapo keni paraqitur në Komisionin e Parlamentit Europian për Liri, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme, propozuat liberalizimin sa më parë të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në të ju flisni edhe përgjegjësinë politike të BE ndaj përfundimit të këtij procesi. Çfarë kuptoni me këtë?

Bashkimi Evropian ka përgjegjësi politike për të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë më regjim vizash me BE dhe tani pres që kjo të ndodhë edhe me Shqipërinë dhe Bosnjë – Hercegovinën. Të dyja vendet muajt e fundit kanë shënuar një progres të dukshëm. Presim raportin përfundimtar të ekspertëve që këtë javë ndodhen në Shqipëri, kurse javën e kaluar ishin në B-H. Shpresoj që në shtator, kur ata të kthehen, raporti i tyre do të jetë pozitiv. Ndërkohë kërkesat duhet të plotësohen, e kam fjalën për kërkesat teknike të vendosura nga Komisioni Evropian. Shpresoj që të ecim shpejt deri kur Parlamenti Europian të hapë dritën e gjelbër përfundimtare për Bosnjë – Hercegovinën dhe më pas për Shqipërinë aty nga fundi i këtij viti.

Ju e cilësoni çështje urgjente lëvizjen e lirë pa viza në vendet e BE , edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Pse?

Është shumë e rëndësishme të sigurojmë lëvizjen e lirë. Ajo ka një ndikim të madh psikologjik tek qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë – Hercegovinës. Lëvizja e lirë e njerëzve përmirëson lidhjet, kontaktet mes njerëzve. Veçanërisht e rëndësishme është për brezat e rinj. Është vërtet një paradoks që për qytetarët e Shqipërisë, Bosnjë- Hercegovinës dhe pjesëve të tjera të ish-Jugosllavisë nuk është e mundur që 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, të mos mundin të udhëtojnë pa viza në vendet e BE. Sot përballemi me brezat që u rritën pas rënies së Murit të Berlinit, që nuk mund të kenë lirinë e lëvizjes. E kam fjalën sidomos për ata që nuk kanë mundësi ekonomike, për njerëzit e varfër. Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar në të kaluarën e regjimeve komuniste në ish-Evropën Lindore dhe Qëndrore. Sot shohim që politikanët dhe ata që kanë para mund të udhëtojnë në vendet e BE. Prandaj është e rëndësishme për të rrëzuar murin e vizave për brezin e ri dhe ata që nuk janë të pasur. Por dua të theksoj se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Bosnjë – Hercegovinën duhet ta kenë të qartë se çfarë është liberalizimi i vizave. Qytetarët e këtyre vendeve nuk mund të kërkojnë punësim, leje qëndrimi, nënshtetësi apo azil politik në vendet e BE. Liberalizimi i vizave është vetëm liri e lëvizjes dhe mundësi për një qëndrim pprej 90 ditësh në këto vende. Prandaj është e rëndësishme që qeveria e Tiranës dhe ajo e Bosnjë – Hercegovinës të informojnë qytetarët e tyre se çfarë do të thotë liberalizimi i vizave.

A mund të jepni një afat realist kur kjo do të ndodhë për qytetarët e Shqipërisë?

Mendoj që kur të dyja vendet të kenë plotësuar kërkesat nuk do të kemi nevojë për një kohë shtesë. Natyrisht për BE është e rëndësishme të shikojë tek Shqipëria një vend me demokraci të qëndrueshme pasi Shqipëria ka përjetuar muajt e fundit krizë të madhe politike. Është shumë e rëndësishme që qeveria e Tiranës të përpiqet të plotësojë kriteret teknike dhe të mendojë se çfarë ka përtej liberalizimit të vizave, të jetë e dedikuar ndaj procesit të integrimit europian. Ajo duhet të arrijë një kompromis për zgjidhjen e krizës politike, të sigurojë dialogun politik mes partive dhe një mjedis të stabilizuar politik në vend. Gjithsesi liberalizimi i vizave është një proces teknik, me shumë kërkesa dhe jo një proces politik. Por në fund merret një vendim politik. Prandaj është i rëndësishëm një bashkëpunim i mirë, i ndershëm, rezultate reale në terren, stabilitet politik.

Po për Kosovën, e vetmja pjesë në ish-Jugosllavi që nuk është përfshirë ende në procesin e liberalizimit të vizave? A po projektohet ndonjë nismë në Parlamentin Evropian që edhe qytetarët Kosovës të gëzojnë lëvizjen e lirë, pa viza në vendet e BE?

Kosova mbetet një shqetësim i madh për PE, sidomos kur të përfundojë procesi i liberalizimit të vizave me BE për Shqipërinë dhe Bosnjë- Hercegovinën, pra kur të gjitha vendet fqinje do të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Lypset për Kosovën të fokusohemi për të gjetur modalitete sesi ta përfshijmë atë në procesin e liberalizimit të vizave. Unë i kam bërë apel Parlamentit Europian, institucioneve të tij që të përcaktojnë një ecuri të qartë për procesin e liberalizimi të vizave në Kosovë. Është një proces i gjatë, me shumë kërkesa që kërkon strategjinë e vet. Do të jetë shumë e vështirë që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin pa viza në vendet e BE-së. Por Kosova nuk duhet të mbetet një njollë e zezë në hartën e Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të siguroj që unë dhe kolegët e mi në Parlamentin Evropian do të bëjmë gjithçka të mundur për të shtyrë përpara këtë proces dhe gjetur zgjidhje për ta përfshirë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Deutsche Welle

KOMENTE