Futboll/ Tirana, Optimiste Përballë Utrehtit
REHTIT
TIRANË, 14 Korrik/ATSH- Gjergji Mima/ - Skuadra e Tiranës, pas suksesit të arritur në ndeshjen e turit të parë të Ligës së Evropës ndaj hungarezëve të ZTE, nesër do të ketë një përballje akoma më të vështirë. Shorti i ka rezervuar një skuadër holandeze, Utreht, ku 24 herë kampionët e Shqipërisë nuk janë shumë të favorizuar. Por, nga kampi bardheblu nuk është marrë me shumë frikë kjo sfidë, me një nga skuadrat më të forta të këtij turi të kompeticionit evropian.
Pasi eliminoi hungarezët e ZTE-së (0-0, në Tiranë, 1-0 në Hungari), Tirana do të përballet me holandezët e Utrehtit, ekipi i dytë portokalli pas Ajaksit në edicionin 1970-1971.
Ndeshja e parë e turit të dytë të Europa League mes hollandezëve të Utrehtit dhe Tiranës do të luhet në orën 20:00, në Hollandë, ndërsa e dyta një javë më pas në kryeqytet. Ndeshja e nesërme do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh nga Qipro, me kryesor arbitrin Stelios Trifonos.
Duket se ashtu si ndaj ZTE-së, edhe ndaj Utrehtit trajneri i Tiranës, Sulejman Starova, nuk do ta ketë luksin që të ketë shumë zgjedhje, pasi sipas rregullores së UEFA-s, nuk lejohet që të federohet më shumë se një lojtar në ndeshjet e turit të dytë. Megjithatë, edhe me këtë kontigjent, sipas Starovës, në ndeshjen e parë pritet më e mira nga bardheblutë.
"Jemi pak të kushtëzuar për sa u përket federimeve, megjithatë shpresojmë te forca e grupit aktual, aq më tepër që do të kemi edhe shërbimet e Ahmatajt, që është një lojtar me eksperiencë. Gjithashtu, do të kemi gati edhe Vilfor Hysën, një lojtar i ri, por edhe një forcë më shumë për ne në turin e dytë", tha Starova përpara nisjes për në Holandë mesditën e sotme. /a.ke/