Has: Çdo Ditë Ujiten Mbi 80 Hektare Toke Bujqesore
HAS, 14 korrik/ATSH-R.Hoxha/. - Temperaturat mjaft të larta të këtyre ditëve kanë bërë që të gjitha rezervuaret në rrethin e Hasit të vihen në funksion të fermerëve, ku çdo ditë ujiten 80 hektarë tokë bujqësore.
Duke e bërë të ditur kete për ATSH-në, drejtori i zyrës së Bujqësisë të rrethit, Rifat Mulaj, tha se, në ditë ujiten mbi 80 ha toka të mbjella kryesisht me misër, pa harruar edhe kulturat e tjera që kanë nevojë.
Pozitiv është fakti se në këtë periudhë të gjitha rezervuaret e këtij rrethi janë në eficencë e punojnë me kapacitet të plotë.
"Nga 26 rezervuaret, vetëm 2 prej tyre punojnë me kapacitet të pjesshëm për shkak të problemeve teknike, ndërsa të tjerat janë në eficencë të plotë e në shërbim të fermerëve", thotë Mulaj.
Ndihmesë po japin shoqatat e ujitjes, të cilat po menaxhojnë sasinë e ujit duke ushtruar kontroll të vazhdueshëm në përdorimin e tij. "Kjo ka mundësuar që këtë vit të mos kemi asnjë konflikt mes fermerëve", thotë Mulaj.
Në rrethin e Hasit funksionojnë 26 rezervuare të ndërtuara në vitet '70, që kanë kapacitet ujëmbajtës nga 150 mijë metër kub - 1,750 milion metër kub ujë, sic është ai i Krumës. Ndërsa digat e këtyre rezervuareve kanë lartësinë nga 16 - 36 metër. /a.ke/