Kosovë - Thaçi Inicion Nxjerrjen E Një Ligji Antimafia
PRISHTINË, 14 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri Hashim Thaçi, bëri të ditur sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, se në kuadër të angazhimeve për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës ka iniciuar nxjerrjen e ligjit antimafia për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit të pasurisë.
"Në kuadër të angazhimeve tona për implementimin e plotë të kritereve demokratike si parakusht i domosdoshëm për t'u integruar në strukturat e Bashkimit Evropian, por edhe për të përmbushtur të gjitha sfidat që dalin në angazhimet tona për Raportin e Progresit, i cili pritet në vjeshtë, por edhe për të dëshmuar edhe në praktikë angazhimet tona për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, kam inciuar nxjerrjen e ligjit antimafia", tha Kryeministri Thaçi.
Ky ligj, sipas Kryeministrit Thaçi, ka për qëllim parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar përmes konfiskimit të pasurisë së personave të inkriminuar.
Qeveria miratoi sot edhe Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020 si dhe p/ligjin "Për mbrojtjen e natyrës"./s.s./