English

Mashtronin për nxjerrjen e vizave kroate, arrestohen dy persona

Prishtinë, 14 Korrik, NOA – Tek ambasada kroate në Prishtinë, disa persona të dyshuar mashtronin qytetarët aplikantë për viza, duke iu premtuar marrjen e vizave me lehtësime, në mënyrë të shpejtë, jashtë procedurave të parashikuara para nga kjo përfaqësi diplomatike.

Lajmi bëhet me dije nga burimet policore të Kosovës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilës të dyshuarit për rregullimin e një vize jashtë procedurave ligjore, kërkonin në këmbim të nxjerrjes së një vize 150-200 euro nga të interesuarit.

Por pas një plani policor të hartuar nga Policia e Kosovës, dy prej tyre janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit, e parashikuar nga neni 261 i Kodit Penal të Kosovës.

Bëhet me dijeni se personat e arrestuar janë me inicialet E.B dhe Xh.K, përkatësisht 59 vjeç dhe 43 vjeç.

Ata janë kapur në flagrancë, ndërsa ishin duke marrë shumën e 150 eurove për nxjerrjen e një vize kroate.

n.e/NOA

KOMENTE