Meta Vlerëson Kontributin E Emirateve Të Bashkuara Arabe Në Financimin E Qendrave Shëndetësore Në Qarkun E Fierit
FIER, 14 Korrik /ATSH -Rr.Isufaj/. - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi sot kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe në financimin e 4 qëndrave shëndetësore në Qarkun e Fierit.
I shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe Drejtori i Shoqatës "Gjysmëhëna e Kuqe" të EBA, Hamad Ben Abdennabi, Meta mori pjesë pasditen e sotme në përurimin e 2 qëndrave shëndetësore në komunën e Topojës, në rrethin e Fierit, të cilat u ndërtuan me kontributin e shoqatës "Gjysmëhëna e Kuqe".
Meta falenderoi qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shoqatën "Gjysmëhëna e Kuqe" për financimin e këtyre objekteve të rëndësishme për komunitetin e kësaj zone dhe u ndal te një sërë projektesh të rëndësishme të financuar nga Emiratet e Bashkuara, si dhe te bashkëpunimi i mirë dhe realizimi i disa projekteve madhore në të ardhmen.
"Ne vetëm sot inaugurojmë 4-qëndra shëndetësore në dobi të komunitetit në rrethet Fier e Lushnje. Pak ditë më parë ne kishim ministrin e Jashtëm të EBA-së, inauguruam aeroportin e Kukësit, një vepër e ndërtuar me kontributet e EBA që nga periudha e krizës së Kosovës", tha Meta, i cili bëri të ditur se shumë shpejt tuneli që do të lidhë Tiranën me Elbasanin në Qafë Krrabë, do të jetë një financim i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Zv/kryeministri Meta vlerësoi ndërkohë edhe punën e mirë të kryetarit të komunës së Topojës, Sotir Zarka dhe deputetit të zonës, Dritan Prifti, dhe premtoi përpjekjet maksimale të qeverisë për financimin e projekteve.
"Të gjitha projektet do të mbulohen me financim. Situata ekonomike nuk është më e mira e asaj që ne do të donim të ishte, pasi e gjithë bota është përfshirë nga kriza. Megjithatë këto zona janë në vëmëndjen tonë dhe projektet e paraqitura nga kreu i komunës dhe deputeti i zonës do të financohen, si përmes FSHZH, buxhetit të shtetit dhe donacioneve, sepse ekziston dëshira e mirë për t'i shërbyer këtij komuniteti", tha Meta./s.s./