English

MTKRS: Matje nivelit të kënaqësisë së turistëve në destinacionet shqiptare

Tiranë, 14 korrik, NOA - Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka përgatitur një projekt, që synon matjen e nivelit të kënaqësisë së vizitorëve të huaj në Shqipëri, me lajtmotiv vënien e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në funksion të ndryshimit të imazhit të Shqipërisë në botë, si dhe rritjen e numrit të turistëve në vend.

Projekti synon njohjen e turistëve me institucionet e trashëgimisë kulturore, zyrat e shërbimit turistik në vend, që në pikat kufitare.

Përmes projektit u jepet mundësia turistëve të huaj që të njihen me destinacionet turistike, objektet e trashëgimisë kulturore, parqet arkeologjike më të preferuara nga turistët, gjithashtu edhe me njohjen e destinacioneve të reja ende të panjohura nga turistët.

Përpunimi i të dhënave statistikore, do të sigurojë një dokument, i cili do të paraqesë detaje mbi shtetësinë, kohë-qëndrimin e parashikuar, qëllimin e vizitës, vendin apo destinacionin turistik, ku do të qëndrojnë gjatë periudhës së pushimeve, problemet që kanë hasur në këto vende në drejtim të ofrimit të shërbimeve, për të gjithë turistët vendas apo të huaj, që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Projekti njofton MTKRS, do të zbatohet në pesë pika kufitar, si ajo e Murriqanit në Shkodër, në Kukës, në Portin e Durrësit, Portin e Vlorës, si dhe në Aeroportin e Rinasit.

Sipas MTKRS, nga ky projekt synohet të përmirësohet imazhi i Shqipërisë në botë; prezantimi dhe njohja e ZSHT-ve si strukturat më të reja të promovimit të trashëgimisë kulturore në shërbim të turizmit dhe turistëve; përftimi i të dhënave statistikore jo vetëm për hyrjet daljet e turistëve, por edhe për vendet dhe destinacionet turistike më të vizituara dhe preferuara, etj.

Në këtë projekt ministria e TKRS, parashikon të punësojë 20 studentë në pikat kufitare të lartpërmendura, të cilët do të punojnë fillimisht për një periudhë njëjavore.

Ata do të kenë formularin e plotë në shqip dhe anglisht, në fund të të cilit do të shkruhen edhe përshtypjet e vetë turistëve. mit/NOA
KOMENTE