Naço: Opozita, E Ndërgjegjshme Se Duhet Të Votojë Ligjet Që Kanë Të Bëjnë Me Reformat Integruese
- Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço thotë për ATSH-në, se vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në votimin e ligjeve në Kuvend, është thjesht një lëvizje taktike për të fituar akoma në kohë -
TIRANË, 14 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço tha sot për ATSH-në, se "vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në votimin e ligjeve në Kuvend është thjesht një lëvizje taktike për të fituar akoma në kohë", por dhe shprehu bindjen, se opozita është e ndërgjegjshme se duhet të votojë ligjet që kanë të bëjnë me proceset integruese të vendit.
Në një intervistë për ATSH-në, Naço tha se opozita i është rikthyer tashmë jetës parlamentare, ndërsa e cilësoi "thjesht si lëvizje taktike vendimin e saj për të mbajtur marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin".
Duke përshëndetur rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, nënkryetari i Kuvendit tha se "kjo rezolutë ka ardhur në kohën e duhur për klasën politike dhe gjithë shqiptarët".
"Vetë votimi në PE foli qartë se Shqipëria është në drejtimin e duhur, pavarësisht nga mangësitë që ka. Rezoluta foli edhe për problemin e transparencës së zgjedhjeve dhe vuri theksin pikërisht në të njëjtat pika që maxhoranca ka qenë e gatshme për t'i plotësuar opozitës. Ne kemi qenë dakord që në fillim që opozita të ketë shumicën dhe të drejtojë komisionin hetimor, por edhe për hetimin e materialeve zgjedhore", tha Naço.
"Maxhoranca ka qenë që në krye të herës që të bëhet transparenca e nevojshme", tha ai.
Naço si përfaqësues i LSI-së, shton se "kam qenë i interesuar që kjo transparencë të bëhet dhe shqiptarët të jenë të bindur se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat e mundshme dhe sovrani votoi për këtë klasë politike që po drejton sot vendin".
I pyetur nëse socialistët do ti kthehen plotësisht jetës parlamentare pas kësaj rezolute, Naço tha se "socialistët kanë reflektuar, pavarësisht nga qëndrimi dhe bojkoti i pjesëshëm që i bëjnë parlamentit për pjesën e votimit".
Pjesëmarrja e tyre në komisionet parlamentare, sipas tij, "tregon qartë se ata i janë kthyer jetës parlamentare dhe aktiviteteve të parlamentit në çdo detaj që i takon opozitës".
"Unë këtë e shikoj edhe si nënkryetar i Kuvendit në lidhje me qëndrimin që mbajnë ndaj komisioneve, administratës së Kuvendit dhe ndaj vetë parlamentit. Opozita merr pjesë në debat por nuk merr pjesë në votimin e ligjeve. Ne jemi të interesuar që opozita të vijë të votojë edhe ato projektligje që kërkojnë 3/5 e votave", tha Naço.
Ai theksoi se në kalendarin e punimeve të Kuvendit për datën 22 korrik janë vënë disa projektligje që kërkojnë detyrimisht edhe pjesën e opozitës.
"Për datën 22 korrik janë vënë një pjesë e mirë e projektligjeve dhe të kodeve të ndryshme që qëndrojnë prej muajsh dhe vitesh në parlament. Në një farë mënyre ata janë të ndërgjegjshëm sot që për ti shërbyer integrimit të Shqipërisë dhe liberalizimit të vizave duhet ti votojnë këto projektligje që nuk kanë të bëjnë vetëm me pjesën e maxhorancës", tha Naço.
Ai përfundon duke thënë se "maxhoranca nuk po kërkon që opozita të vijë dhe të votojë projektligjin për buxhetin, apo dekrete për ministrat"./n.m/