Negociatat/Patozi:Pranojmë Çdo Pretendim Të Opozitës, Brenda Kushtetutës
TIRANË, 14 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- "Maxhoranca është e gatshme të pranojë çdo pretendim të opozitës në respektim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit", deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, pas takimit dy orësh me homologun socialist, Gramoz Ruçi, në kuadër të negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.
"I bëra të qartë z. Ruçi që kjo maxhorancë është për respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe brenda marzhit të këtyre hapësirave, ajo është gati që të pranojë çdo lëshim dhe pretendim të opozitës", tha kreu i grupit të maxhorancës në Kuvend.
Duke informuar gazetarët për takimin e sotëm, zhvilluar në selinë e kryesisë së Kuvendit, Patozi bëri të ditur se ai "u karakterizua nga shkëmbimi i hapur i pikëpamjeve, jashtë slloganeve, secila palë në pozicionin e saj".
"Mund të them që kemi rëndë dakord për ngritjen e një komisioni të ri hetimor, që ka qënë një kërkesë e përsëritur e opozitës, dhe po ashtu, kemi rënë dakord që në këtë komision hetimor të shikohen modalitetet që opozitës t'i garantohet juridikisht maxhoranca", tha z. Patozi.
Po ashtu, tha Patozi, "kemi rënë dakord që institucionet në dispozicion të komisionit hetimor të kenë afate detyruese, në mënyrë që të procedojmë sa më shpejt dhe t'i hapim rrugën pastaj rishikimit të kodit elektoral, që është një proces i natyrshëm para zgjedhjeve lokale".
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, tha se "nuk kemi rënë dakord apo ka pasur pikëpamje shumë të ndryshme lidhur me objektin e hetimit të këtij komisioni, temë e cila besoj se do të diskutohet në negociatat e ardhshme".
Patozi tha se i kishte bërë të qartë z. Ruçi se ne "jemi plotësisht dakord të implementojmë frymën e rezolutës së Parlamentit Europian", duke shtuar se "nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë dokument ndërkombëtar që i referohet Shqipërisë, i cili do të përfshijë në radhët e tij kapërcimin e neneve të kushtetutës dhe ligjeve të vendit".
Sipas tij, "nuk është maxhoranca diga e pretendimeve apo kërkesave maksimaliste të opozitës, por është kuadri ligjor i vendit, kushtetuta e tij, janë ligjet, janë dhe vendimet e gjykatave dhe institucioneve të tjera kushtetuese, ato që i ndalojnë këto pretendime dhe ne nuk mundemi, në asnjë mënyrë, që të bëhemi bashkëautorë në shembjen apo rrëzimin e kësaj dige, vërshimi pas së cilës do të shkaktonte pasoja të pallogaritshme për vendin, por pse jo dhe për vetë opozitën që sot ka këto pretendime"./s.s./