Osbe Ofron Asistencë Për Hartimin E Një Projektligji Për Shish
TIRANE, 14 Korrik/ ATSH, A.Gegvataj/ - OSBE është e gatshme të ofrojë asistencën e saj për hartimin e një projektligji mbi mbikqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë.
Zyra e shtypit e OSBE-së bëri të ditur sot se "kjo mbështetje vjen si përgjigje e kërkesës së Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit dhe është pjesë e Projektit të Prezencës së OSBE-së në Mbështetje të Parlamentit, financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta".
Sipas njoftimit për shtyp, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch deklaron se, "mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve kombëtare informative dhe të sigurisë si dhe institucioneve qeveritare që i mbikqyrin ato, siguron llogaridhënie demokratike".
Projektligji që do të hartohet synon të rregullojë mbikëqyrjen nga parlamenti të punës së SHISH.
Ky ligj është i ndryshëm dhe më vete nga ndryshimet në Ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", të debatuara publikisht së fundmi.
Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit nga të gjitha partitë politike dhe anëtarëve të institucioneve do t'u sigurohet ekspertiza dhe rekomandime në ndihmë të hartimit të një versioni paraprak për forcimin e procedurave parlamentare përmes proceseve të konsultimit publik.
Në ndihmë për hartimin e këtij projektligji do të marrin pjesë një ish-anëtar i specializuar i Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar së bashku me personelin e OSBE-së.
Rekomandimet do t'i paraqiten Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të të gjitha partive politike, anëtarëve te institucioneve dhe shoqërisë civile, para miratimit të projektligjit për SHISH./n.m/