Tiranë, 14 korrik, NOA – Pas mëse një orë e gjysmë bisedimesh me dyer të mbyllura, në të parat negociata mes PD-së dhe PS-së për zgjidhjen e ngërçit politik duke ngritur komisionin hetimor që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi tha se të dyja palët ranë dakort për ngritjen e komisionit hetimor, ndërsa objektin e hetimit të këtij komisioni, që lidhet me fletët e votimit apo materialet e votimit sikundër nënvizon rezoluta e PE-së, të dy krerët e grupeve kuvendore kanë rënë dakort të flasin në një raund të dytë bisedimesh, pa bërë të qartë kohen se kur do të ndodhë.
Patozi deklaroi se “i bëra të qartë kreut të grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi, se mazhoranca është e vendosur të respektojë shtetin Ligjor dhe të respektojmë të gjitha kërkesat e rezolutës së PE-së, për zgjidhjen e krizës politike dhe hetimin e materialeve të votimit”.
E pra, pikërisht çështja e fletëve të votimit, u kuptua rishtas pas deklaratës së Astrit Patozit, se ka qenë pika ku dy krerët e grupeve kuvendore nuk kanë rënë dakort.
Që do të ketë të tjera negociata lidhur me fletët e votimit e ka konfirmuar pas takimit edhe kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi.
Madje, Patozi i pyetur nga mediat lidhur me këtë kundërshti të PS-së, ritheksoi atë që kreu i mazhorancës tha dy ditë më parë, se “opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për fletët e votimit, ndërsa GJK Komisionit të Venecias.
Patozi nënvizoi si mundësi të zgjidhjes, atë që komisioni hetimor të ketë si objekt hetimi materialet zgjedhore, dhe në këtë pikë duhet respektuar kodi i cili nënvizon djegien e fletëve të votimit nga KQZ.
“Ne duhet të presim, nëse komisioni hetimor do të ketë si objekt materialet zgjedhore atëherë KQZ duke iu referuar ligjit për zgjedhjet, nuk mund të respektojë dhe zbatojë vetëm një pjesë të nenit”, sqaroi Patozi.
Kreu i Grupit të PD-së, tha ndër të tjera se e ka garantuar zotin Ruçi se mazhoranca do t’i japë të gjitha hapësirat opozitës për këtë komision dhe se do të respektojë pretendimet e opozitës vetëm brenda kornizës zgjedhore.
Ajo që kuptohet qartë është se të dyja palët, mazhorancë dhe opozitë kanë rënë më në fund dakort për të patur takime të reja, që pritet t’i japin një zgjidhje ngërçit politik që mban peng vendin prej mëse një viti, por që mbi të gjitha lidhet me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pika kyçe e kësaj krize, për zgjidhjen e të cilës ka një rol të rëndësishëm edhe faktori ndërkombëtar, dhe rezoluta e miratuar e PE-së, për Shqipërinë.
mit/NOA