Pe- Fajon: Të Hiqet "Muri I Vizave" Për Shqipërinë E Bosnjën
TIRANE, 14 Korrik/ ATSH, A.Gegvataj/ - Zyrtarë të lartë në PE e cilësojnë paradoksal faktin që 20 vite nga rënia e Murit të Berlinit, ekziston akoma "muri i vizave" ndaj vendeve fqinje në Europë.
Euro-Deputetja Tanja Fajon propozoi një ditë më parë në komisionin për Drejtësi dhe Çështjet e Brëndshme në Parlamentin Evropian (LIBE) liberalizimin urgjent të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen-Hercegovinën.
Raportuesja për vizat në PE, Tanja Fajon ka hartuar një draft-rezolutë, e cila i kërkon Komisionit, që në shtator të bëjë propozimin për liberalizimin e vizave, duke vënë në dukje progresin e arritur nga të dy vendet.
"BE ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces, pasi është paradoksale që pas më shumë se 20 vitesh, nga rënia e Murit të Berlinit, ende kemi "murin e vizave"ndaj fqinjëve tanë", nënvizohet në projektin e Fajon.
Ajo thekson se liberalizmi i vizave ka një impakt të rëndësishëm psikologjik në mëndjen e njerëzve.
Eurodeputetja e argumenton qëndrimin e saj duke shtuar se "këtu nuk flasim për politikanët, biznesmenët apo njerëz me para pasi ata kanë mënyrat e tyre për të udhëtuar jashtë vëndit".
Fajon shpreh shqetësimin për studentët dhe qytetarët, që mbajnë radhën përpara konsullatave.
Raportuesja për vizat në PE kërkon që ligjvënësit europianë të ndërmarrin gjithë hapat e nevojshëm për miratimin sa më të shpejtë të propozmit të komisionit. Sipas saj, heqja e vizave për të dy vëndet në fillim të vjeshtës së 2010-s do të ulë risqet për një paqëndrueshmëri etnike e politike.
"Heqja e regjimit të vizave do të rrisë cilësinë e jetës për qytetarët dhe do të nxisë qeveritë, institucionet shtetërore dhe politikanët që të vijojnë përpjekjet mbi reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE", vlerëson Fajon./n.m/