English

Permbledhje/ Fmn Vlereson Pozitivisht P/Ligjin Per Rishikimin E Buxhetit 2010

-Deklarojnë në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri i Financave, Ridvan Bode, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe përfaqësuesi i FMN-së, Gerwin Bell - TIRANE, 14 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Përfaqësuesi i FMN në vendin tonë, Gerwin Bell, vlerësoi pozitivisht pr/ligjin për rishikimin e buxhetit 2010, por paralajmëroi të mos nënvlerësohen rreziqet e jashtme, pasi vazhdon të ketë rreziqe të larta në sistemin financiar. "Rishikimi i buxhetit është për t'u vlerësuar. Është një hap në drejtimin e duhur për uljen e deficitit dhe të borxhit publik"- deklaroi Gerwin Bell, i cili prej gati një jave ndodhet në Tiranë për të monitoruar pr/ligjin për rishikimin e buxhetit dhe situatën makroekonomike në vend. Sot paradite zoti Bell ishte para gazetarëve, së bashku me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Duke iu referuar raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi Ekonominë Botërore, që ky institucion me seli në Washington, publikoi në prill të 2010 në faqen zyrtare online, Bell tha se rritja ekonomike për vitin 2010 ishte parashikuar 2.8 %, "dhe parashikimi i tanishëm është 2. 6 %". Por, saktësoi Bell "përqindja është në varësi të statistikave, të cilat janë në progres e sipër, megjithatë kjo rritje do të jetë midis 2- 3 %". Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, tha se Shqipëria shmangu rënien ekonomike falë një menaxhimi të "suksesshëm përballë një situate të vështirë dhe presioneve që kanë ardhur nga mjedisi i jashtëm gjatë viteve të fundit". Kjo, nënvizoi ai, "për shkak të politikave të suksesshme e të kujdesshme fiskale, monetare dhe makroekonomike". Sipas tij, sistemi bankar ishte i shëndetshëm dhe mundi të përballonte goditjet negative në këtë situatë. Ai vuri në dukje se pritshmëritë për inflacionin mbeten të mira. Bell vlerësoi se në tre mujorin e parë të 2010, GDP ka qenë më e mirë se çfarë kishte parashikuar FMN, por kërkoi të mos nënvlerësohen rreziqet e jashtme. Bode: Do të vazhdojme bashkepunimin me FMN, nuk rrisim taksat Ministri i Financave, Ridvan Bode, duke konfirmuar se ekonomia po i rikthehet ritmeve të rritjes në kuadrin e presioneve të krizës globale, bëri të ditur se në kuadër të ndërhyrjeve të qeverisë për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, nuk do të rriten taksat. "Nuk mendoj se Shqipëria do të vijë një ditë të rrisë taksat për të stabilizuar treguesit makroekonomik. Sfida e ekonomisë është si të rrisë investimet", tha ai. Në konferencen e përbashket për shtyp me perfaqësuesin e misionit të FMN, Bell dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Fullani, ministri Bode tha se "bashkëpunimi me misionin e FMN-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen". "Fondi Monetar Ndërkombëtar ka luajtur rol të rëndësishëm në stabilitetin e treguesve makroekonomik të vendit, ndaj dhe ne do vazhdojmë bashkëpunimin me FMN për të përfituar maksimalisht në të mirë të ekonomisë së vendit", deklaroi ministri Bode. Sipas tij, ekonomia shqiptare po i rikthehet ritmeve të rritjes në kuadrin e presioneve të krizës globale. "Pas përdorimit të stimujve fiskalë për të mos lejuar rënien e ekonomisë shqiptare në kushtet e krizës ndërkombëtare, kostatojmë se gjatë kësaj periudhe ka një rritje të vëllimit të eksporteve, përmirësim të bilancit tregtar, përmirësim të investimeve direkte, rritje me 12% të depozitave dhe rritje të kreditimit privat", deklaroi ministri Bode. Sipas tij, "këto janë disa shenja pozitive, që nxitën qeverinë shqiptare të ndërmarrë një program për rritjen e mirëqënies në vend, që konsiston në shkurtimin e shpenzimeve publike në disa prej aktiviteteve të qeverisë dhe duke mbajtur kërkesën konsumatore, përmes rritjes së pagave e pensioneve". Kjo politikë e ndërmarrë në kohën e duhur, theksoi Bode, do të mbështesë rritjen e ekonomisë reale në Shqipëri. Fullani: Po rikuperohet besimi te bankat, rriten depozitat bankare Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, konfirmoi se "besimi i qytetarëve në sistemin bankar shqiptar është rikuperuar dhe këtë e tregon më së miri rritja e nivelit të depozitave pranë tij gjatë muajve të fundit". Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe Përfaqësuesin e FMN-së, Gerwin Bell, Guvernatori Fullani tha se, kjo është pasojë e politikave të duhura të ndjekura nga qeveria, por edhe institucioneve financiare në vendin tonë, referuar edhe Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë ndikuar në zbutjen e efekteve negative që kriza ekonomike globale induktoi në situatën ekonomike në vend. Ndër të tjera, Guvernatori Fullani shtoi se zhvillimet ekonomike të ditëve të fundit përmbajnë sinjale inkurajuese, por gjithsesi, ato tregojnë edhe faktin se disa pika duhen plotësuar. Sipas tij, FMN e ministria e Financave "kishin ndarë opinion te përbashkët për të qenë të kujdesshëm në ruajtjen e ekuilibrave makroenomikë", duke shtuar se "BSH ishte e angazhuar për të marrë veprime korrekte". Fullani bëri të ditur se BSH ështe e gatshme të shohë mundësimë e një stimuli tjetër monetar në funksion të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri. "Ecuria e ekonomisë ka pasur një rritje pozitive, por të ngadaltë. Kërkesat e brendshme kanë pasur ecuri të ngadaltë, duke reflektuar vështirësitë ne financimin e aktivitetit ekonomik", deklaroi Fullani./s.s./
KOMENTE