Tiranë, 14 Korrik, NOA – Zhvillohet sot ceremonia e emërimit të brezit të dytë të Avokatëve të Shtetit të Shqipërisë, të cilët kanë kaluar një fazë trajnimi dhe provimi në një sistem me konkurrim të pa-aplikuar më parë në Shqipëri.
Kjo falë mbështetjes së Spanjës përmes projektit “Mbështetje për forcimin dhe konsolidimin e Avokaturës së Shtetit të Shqipërisë”, të zbatuar nga agjencia spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), në bashkëpunim me Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit të Spanjës dhe Shqipërisë.
Përveç emërimit të Avokatëve të Shtetit, kjo ceremoni do të nënkuptojë gjithashtu edhe mbylljen e projektit me një kohëzgjatje prej 2 vjetësh.
Ceremonia e emërimit të brezit të dytë të Avokatëve të Shtetit, që kanë kaluar procesin e përzgjedhjes me konkurrim, do të zhvillohet sot në selinë e Ministrisë së Drejtësisë, ku do të marrë pjesë edhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, avokatja e Përgjithshme e Shtetit të Shqipërisë, Ledina Mandia dhe zv/avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Spanjës, Manuel Renedo.
n.e/NOA