Tiranë, 14 Korrik, NOA – Ndotja e plazheve në kulmin e sezonit turistik me mbetje inerte, e ka detyruar ministrinë e Mjedisit që të marrë masa ndëshkimore ndaj disa komunave në vend, të cilat administrojnë plazhe të rëndësishme.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të ministrisë së Mjedisit, sipas të cilave, ekspertë të saj kanë kontrolluar plazhet në komunat Velipojë, Shëngjin, plazhin e Tales, Gjirin e Lalëzit, plazhin e Durrësit, plazhin e Golemit, duke vazhduar sot dhe në ditët në vijim në të gjithë territorin e vendit.
Dhe ndaj disa subjekteve publikë dhe privatë, të cilët nuk kanë respektuar kërkesat ligjore të parashikuara nga ligji “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, nga ana e Inspektoriatit të Mjedisit janë marrë sanksione të dënimit me gjobë.
Aktualisht, me vendimet përkatëse janë penalizuar komuna Velipojë, komuna Shëngjin, komuna Shënkoll, komuna Ishëm, komuna Golem, konkretisht me nga 5 milionë lekë, ndërsa komuna e Ishmit me 10 milionë lekë.
Ndërkaq, ministria e Mjedisit bën me dije se për të siguruar një mjedis të pastër në zonat turistike dhe akset nacionale, Inspektoriati i Mjedisit në zbatim të kompetencave ligjore do të ndjekë në vazhdimësi situatën mjedisore të administrimit të mbetjeve urbane për të parandaluar veprimtaritë e kundraligjshme, si dhe do të veprojë me të gjithë forcën e ligjit ndaj të gjithë operatorëve publikë dhe privatë të cilët e shkelin atë.
n.e/NOA