English

Profil/ Vlore: Nje Dite Ne Studion E Skulptorit Zeqir Alizoti

TI VLORE, 14 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Studioja e skulptorit vlonjat, Zeqir Alizoti, ndodhet në periferi të qytetit të Vlorës, por ai vetë simbolikisht është në epiqendër të ngjarjeve kulturore në qytet. Mjedisi ku punon dhe krijon çdo ditë është reflektim i drejtpërdrejtë i dinamizmit, shpirtit artistik. Ka mjaft punime në këtë mjedis, të përfunduara muajt apo javët e fundit, por edhe shumë të tjera, pjesë e fondit të artë të punës së tij, prej të cilave, Alizoti e ka të vështirë të ndahet. "Arti përfaqëson pjesën më të mirë dhe më të vyer të jetës time, prandaj në krijimet e mia jam vetvetja. Një pjesë të atyre që kam krijuar, janë bërë pjesë e qenies time, prandaj dhe nuk mundem, nuk arrij të ndahem prej tyre", thotë Alizoti, që shton se, i sheh dhe i prek përditë disa nga syresh, me të cilat krenohet. Në mjediset e studios modeste nga përmasat, por e madhe për dimensionin artistik, gjen punime të realizuara në qeramikë, bronz, bakër, gur, shamot, grafikë etj. Në një hapësirë dominojnë punët me motive foklorike, që krijojnë atmosferë të veçantë, mes tyre, koka e një banori të krahinës së Labërisë, realizuar në shamot. Qylafi i bardhë, i vendosur në një kokë të skalitur me mjeshtëri dhe dashuri, ku spikasin mustaqet e përdredhura, çibuku që qëndron në pjesën e djathtë të buzëve, vështrimi i fortë, format e forta të fytyrës së rreshkur, sikur sjellin një copë shkëmbi nga Labëria e ashpër. Figura e banorit të atyre anëve është e drejtpërdrejtë dhe shfaqet në antitezë me format e lakuara trupore të një vajze që pozon natyrshëm nudo, e cila shfaqet pak më tej duke treguar pa droje bukurinë që i ka falur natyra. Diku më tutje, një shqiponjë e konceptuar në imagjinatën e Alizotit, si koka e një vajze me një vrragë që përshkon fytyrën. Është një simbolikë, që perceptohet thjesht nga vizitorët, që dallojnë në të simbolet kombëtare në dinamikë formimi dhe konsolidimi. Nënë Tereza, e realizuar në bronz është nga punimet më të dashura të Alizotit. Në fakt, modeli është një imitim i një tjetër punimi, realizuar e paraqitur prej tij në një konkurs kombëtar ku u vlerësua me çmim. "Është një oaz paqeje, kjo që shihni këtu. Synoj të krijoj dhe të sjell për artdashësit dhe për njerëzit në tërësi, modelin e një bote të paqtë, ku qëndrojnë krah njera-tjetrës vlera që u përkasin vetë atyre", thotë Alizoti. Tek bisedojmë, sjell ndërmend vlerësimet e artistëve dhe krijuesve të njohur për të. "Veprat e Zeqir Alizotit shprehin përmes një plastike vibruese plotë jetë, gjallëri dhe elegancë, vizionin epiko-lirik të truallit ku u lind dhe u rrit, vizion që ka rrjedhur nga një konceptim realist e i fuqishëm i jetës me mjete dhe gjuhë të kursyer plastike", thotë Piktori i Popullit, Nestor Jonuzi. Aktiviteti i pasur krijues i Alizotit, që, pak javë më parë u nderua me titullin "Qytetar Nderi i Vlorës", pasqyrohet edhe në prezantimin përpara artdashësve. Krahas ekspozitave personale të çelura në Vlorë, skulptori 56 vjecar Zeqir Alizoti, ka çelur të tilla edhe në Itali, Francë e Greqi. Vetëm në qytetin e Vlorës ai ka çelur pas viteve 90-të 3 ekspozita personale. Mes punimeve të realizuara prej tij, përfshihen basorelievët në pallatin e sportit në Vlorë dhe shtatorja e Marigo Posios, monumenti i Zenel Gjolekës në fshatin Kuç, shtatorja e Ismail Qemalit në sheshin përpara Universitetit të Vlorës, etj. /a.ke/
KOMENTE